LSDM dhe BESA nuk arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami bëri të ditur sot se pas negociatave me Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) është marrë vendimi që ajo mos të jetë pjesë në Qeverinë e re, transmeton Anadolu Agency (AA).

“BESA njofton se ajo nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Mandatari nuk ishte i gatshëm të pranoj dhe të nënshkruaj parimet e BESËS. BESA do të mbetet një faktor konstruktiv politik në Maqedoni, duke u bërë gardian i interesave të shqiptarëve. E njoftojmë opinionin se BESA do të mbështes çdo nismë në interes të veçantë të shqiptarëve dhe të shtetit”, tha Kasami.

Më herët edhe LSDM përmes një kumtesë informoi se nuk është arritur marrëveshje me Lëvizjen BESA për inkuadrim në Qeverinë e re dhe thekson se edhe përkundër kësaj mbeten të hapura dyert për bashkëpunim.

“Edhe përkundër faktit se në negociatat me partinë BESA u pajtuam se e ndajmë përcaktimin për reformat urgjente për zhvillimin demokratik dhe evropian të Maqedonisë, për një pjesë të çështjeve nuk arritëm marrëveshje. Mbeten të hapura dyert për bashkëpunim rreth mbështetjes së reformave që janë në Maqedoni, si dhe për gjithçka tjetër me interes të përbashkët për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, njoftoi LSDM-ja.

Mandatari për formimin e Qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev, marrëveshje për bashkëqeverisje ka me Bashkimin Demokratik për Integrim, që dje në mbledhjen e saj të kryesisë së partisë vendosi emrat e ministrave të rinj të cilët do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar, si dhe nga Aleanca për Shqiptarët kanë theksuar se do të mbështesin Qeverinë qoftë në koalicion ose jo qeveritar.

Lëvizja BESA në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor fitoi 5 deputetë dhe ishte pjesë e shumicës parlamentare e cila numëronte 67 mandate.

Partitë e tjera të shumicës janë LSDM e cila fitoi 49 deputetë, BDI 10 deputetë, dhe Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne