Lufta në Gaza/ Hamas: Pa tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Gaza nuk ka marrëveshje! Netanyahu: Kjo do të ishte dorëzim, e papranueshme

Hamasi dëshiron të arrijë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse që i jep fund agresionit, garanton tërheqjen e IDF dhe arrin një marrëveshje serioze për shkëmbimin e të burgosurve”. Lideri i fraksionit palestinez Ismail Haniyeh ka shkruar këtë në platformën Telegram duke iu referuar negociatave në Kajro.

“Është Hamasi ai që po pengon një marrëveshje për lirimin e pengjeve”. Kështu ka deklaruar kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke shtuar se “Izraeli ishte dhe është ende i gatshëm për një armëpushim për lirimin e të rrëmbyerve tanë”.

Netanyhau shton se Izraeli nuk mund të tërheqë ushtrinë nga Gaza, gjë që e kërkon Hamas, pasi sipas tij kjo është dorëzim.

Kjo projektmarrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Gaza është “më e mira” që nga fillimi i negociatave dhe “pranimi i saj është i afërt”, i ka thënë një zyrtar arab Sky News Arabia.

Megjithatë, i njëjti burim shprehu frikën se të dyja palët mund të bëjnë një kthesë drastike, sërish në luftë intensive. Pika që ndan palët është ajo e njohur: Hamasi dëshiron “një përfundim të qartë” të luftës në Rrip në këmbim të pengjeve, ndërsa Izraeli është totalisht kundër.

Mediat shkruajnë se negociimi i një marrëveshjeje përfundimtare mes palëve do të zgjasë ende disa ditë.

Ndërsa delegacioni i Hamasit ndodhet në Kajro për takimin me ndërmjetësit, drejtori i Mossadit, David Barnea ka mbetur në Izrael, por sipas burimeve izraelite ai mund të udhëtojë shpejt në Egjipt nëse Hamasi pranon kornizën e marrëveshjes.

Që nga nisja e luftës rreth 35 mijë palestinezë janë vrarë dhe 78 mijë janë plagosur në ofensivën ushtarake izraelite kundër Gazës që nga 7 tetori. Shifra u bë me dije këtë të diel Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e kontrolluar nga Hamasi. Nga ana tjetër, ushtria izraelite tha se kishte eliminuar pesë terroristë palestinezë që ishin pozicionuar në një ndërtesë në Bregun Perëndimor, ndërsa rrethimi kundër tyre zgjati 12 orë./shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne