LVV përjashton Mujecin nga partia pas kapjes me droge ne Tirane

Komisioni Disiplinor i VV-së ka marrë vendim për përjashtimin e Besnik Mujecit nga anëtarësia dhe gjithë strukturat e saj, ka njoftuar Alim Rama nga LVV-ja.

“Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asambleistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë,  Komisionin Diciplinor i LVV menjëherë ka trajtuar këtë rast. Si rrjedhojë Komisioni Diciplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme, janë absolutisht të patolerueshme dhe do të luftohen e ndëshkohen”, ka shkruar sekretari i Përgjithshëm i VV-së.

Asamblisti i LVV-së, Besnik Mujeci së bashku me katër persona të tjerë u kap në Shqipëri pasi i kishin kaluar nga Kosova në Tiranë, 11 mijë e 300 doza ekstazi.

Policia dha një deklaratë zyrtare për sasinë e sekuestruar të ekstazisë të hënën në mbrëmje në Tiranë. Sipas policisë bëhet fjalë për 11 mijë e 300 kokrra ekstazi me peshë 5 kg e 93 gr dhe me vlerë tregu 400 mijë euro.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa reagoi pas arrestimit në Shqipëri të asamblistit të Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, nën posedimin e 10 mijë dozave të drogës.

Mustafa ka thënë se Mujeci ishte emëruar nga partia e tij aksionar në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë dhe i përdorte ata autobusë për trafikim të narkotikëve drejt Tiranës.

VV-ja e kishte përzgjedhur Besnik Mujecin para pak muajsh aksionar në ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve”

“Prishtina dhe Tirana në qiell ishin të ndara, por në tokë u bashkuan nga narkotrafikantët e VV-së”, ka ironizuar ai duke marrë shkas edhe me një fjalim të “çuditshëm” të Kryeministrit Kurti, para pak ditësh, në Tetovë.

“Asambleisti i VV-së në Prishtinë, i emëruar nga partia e tij aksionar në Stacionin e Autobusëve, përdorte këta autobusë për të trafikuar narkotikë drejt Tiranës, ku dhe u arrestua i zënë me 10.000 doza droge! 10.000!!! Qysh e kishte emëru’ tipi drogën? LV. #ErlliDita #LVV”, shkruan ai./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne