Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi sot nevojën urgjente për hapjen e të gjitha pikave të kalimit të ndihmave humanitare në Gaza, duke e quajtur atë “domosdoshmëri jetike” për popullatën civile, pasi kriza humanitare në enklavë vazhdon të përkeqësohet.
“Sapo kam folur me kryeministrin (izraelit) Benjamin Netanyahu”, tha Macron në X.
“Unë përsërita mbështetjen e Francës për sigurinë e Izraelit dhe popullin e tij. Lirimi i të gjithë pengjeve ka qenë gjithmonë një prioritet absolut”, tha ai.
Megjithatë, ai theksoi se një armëpushim është rruga e vetme për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetur dhe zbutjen e vuajtjeve në Gaza.
“Hapja e të gjitha vendkalimeve të ndihmave humanitare është një domosdoshmëri jetike për popullatën civile të Gazës”, tha ai.
“E pashë në El-Arish, kjo ndihmë është e bllokuar në anën tjetër të kufirit. Ajo duhet të arrijë te civilët sa më shpejt që të jetë e mundur. Sprova që po përballon popullata civile e Gazës duhet të marrë fund”, shtoi ai.
Macron shtoi më tej se ai shpreson se në orët e ardhshme do të mundësohet çlirimi i më shumë pengjeve dhe një përparim politik.
Komentet e tij vijnë disa ditë pasi ai tha se Franca mund të njohë shtetin palestinez “në muajt e ardhshëm”, potencialisht gjatë një konference të OKB-së në New York në qershor.
“Ne duhet të shkojmë drejt njohjes dhe do ta bëjmë këtë”, tha Macron në një intervistë televizive javën e kaluar, duke bërë thirrje për njohje reciproke midis Izraelit dhe shteteve arabe.
Deklarata shkaktoi një reagim nga djali i kryeministrit izraelit Netanyahu, Yair Netanyahu, i cili sulmoi Macronin në rrjetet sociale, duke shkruar “Vafsh në djall!”, dhe duke bërë thirrje për lëvizje për pavarësi në territoret franceze.
Pavarësisht reagimit të ashpër, Macron përsëriti fokusin e tij për një armëpushim, lirimin e pengjeve, ndihmën humanitare dhe një zgjidhje politike afatgjatë të bazuar në kuadrin e dy shteteve./AA