Madonna i bën thirrje Papës të vizitojë Gazën, kërkon veprim urgjent për të shpëtuar fëmijët nga “uria”

Madonna, ikona e muzikës pop, i ka bërë thirrje drejtpërdrejt Papa Leonit që të udhëtojë në Rripin e Gazës, duke e nxitur që të “sjellë dritën e tij te fëmijët para se të jetë tepër vonë”, teksa Izraeli vazhdon me sulmet vdekjeprurëse mbi enklavën palestineze. “Atë i Shenjtë, ju lutem shkoni në Gaza dhe sillni dritën tuaj te fëmijët para se të jetë tepër vonë. Si nënë, nuk mund ta përballoj të shoh vuajtjet e tyre. Fëmijët e botës u përkasin të gjithëve”, shkroi Madonna në llogarinë e saj në X.

“Ju jeni i vetmi ndër ne që nuk mund t’i mohohet hyrja. Ne kemi nevojë që portat humanitare të hapen plotësisht për të shpëtuar këta fëmijë të pafajshëm. Nuk ka më kohë. Ju lutem, thoni se do të shkoni. Me dashuri, Madonna”, theksoi ajo.

“Politika nuk mund të sjellë ndryshim. Vetëm ndërgjegjja mundet. Prandaj po i drejtohem një Njeriu të Zotit,” tha ajo.

Duke shënuar ditëlindjen e djalit të saj Rocco, Madonna tha: “Mendoj se dhurata më e mirë që mund t’i jap atij si nënë është t’u kërkoj të gjithëve të bëjnë çfarë të munden për të ndihmuar në shpëtimin e fëmijëve të pafajshëm të zënë në mes të zjarrit në Gaza. Nuk po tregoj me gisht, nuk po vendos faj dhe nuk po mbaj anë. Të gjithë po vuajnë”.

“Jam thjesht duke u përpjekur të bëj çfarë mundem për t’i shpëtuar këta fëmijë nga vdekja prej urisë”, tha ajo, duke u bërë thirrje ndjekësve të ndajnë donacione për organizata humanitare si ‘World Central Kitchen’.

Izraeli po përballet me dënime gjithnjë e më të mëdha për luftën gjenocidale në Gaza, ku ka vrarë të paktën 61.500 persona që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë masive.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli gjithashtu përballet me padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne