Malajzi, propozohet që “zekati të jepet edhe për jo-muslimanët”

Kryetari i Partisë së Drejtësisë Popullore (PKR) në pushtet në Malajzi, Anwar Ibrahim, propozoi që edhe jo-muslimanët në vend të mund të marrin zekat si lloj ndihme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Anwar në një fjalim në Konferencën e Zekatit, Fondacionit dhe Bamirësisë në qytetin Shah Alam tha se “Duhet të bëhen disa ndryshime në institucionin e zekatit në vend. Qendrat e zekatit duhet të ndryshojnë që të punojnë më mirë sepse funksioni i zekatit është ndihma”.

Sipas tij, feja islame inkurajon që ndihma e zekatit t’u jepet edhe jo-muslimanëve. “Le të themi se ka tre familje në një lagje që marrin ndihmë nga qendra e zekatit, por familja e katërt ka besimin hindu. A mund ta injorojmë këtë familje?”, tha Anwar.

Ai më tej ka theksuar se propozimi në fjalë mund të diskutohet edhe nga dijetarët islamë dhe nëse ata japin një fetva në këtë drejtim atëherë kjo praktikë mund të vendoset në zbatim.

Muslimanët në Malajzi mund të paguajnë detyrimet e zekatit nëpërmjet qendrave për mbledhjen e zekatit të cilat funksionojnë si institucione të pavarura.

Qeveria i rikthen taksat mbi të ardhurat qytetarëve muslimanë aq sa shuma e zekatit që ata paguajnë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne