Mandati 9-vjeçar? Dumani: Nuk rikandidoj më, por ç’do bëhet me 11 prokurorët e tjerë që ikin brenda 1 viti! 11 mln € kripto të bllokuara, na duhet portofol dixhital

Mandati 9-vjeçar? Dumani: Nuk rikandidoj më, por ç’do bëhet me 11 prokurorët e tjerë që ikin brenda 1 viti! 11 mln € kripto të bllokuara, na duhet portofol dixhital.

5 orë zgjati raportimi i fundit i Altin Dumanit në Kuvend si kryetar i SPAK. Ai i parashtroi punën e institucionit për vitin 2024, teksa vlerësoi si arritje goditjen e krimit të organizuar në veçanti. Dumani kërkoi nga ligjvënësit zgjidhje se çdo të ndodhë me mandatin e prokurorëve të SPAK, teksa njoftoi se ai vetë nuk do të rikandidojë më dhe s’do të jetë pjesë e prokurorisë së posaçme pas 2028-s. Akuzave të opozitës iu përgjigje se për të dhe çdo koleg të tij s’ka rëndësi asnjë emër por vetëm prova.

Kur i duhen edhe 2 muaj nga largimi si drejtues i SPAK, Altin Dumani raportoi për 5 orë punën e tij dhe kolegëve të tij në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në raportimin e fundit, një apel e kishte të drejtpërdrejtë për ligjvënësit, kur i foli për çështjen e mandatit 9-vjeçar të prokurorëve të SPAK, ndërsa u dha lajmin se vetë edhe 3 vite do të jetë prokuror i posaçëm.

 “Nuk është çështje personale, sepse unë nuk do të rikandidoj më për prokuror. I mbaron mandati 11 prokurorëve të posaçëm në një vit. Unë nuk besoj se kemi kaq shumë kapacitete. E kuptoni boshllëkun që krijohet. Është e pamundur t’i zëvendësosh. E kam përsëritur në çdo raportim dhe nuk e kam një përgjigje, qoftë edhe që prokurorët të përgatiten emocionalisht”, tha Dumani.

Fillimisht një koment Dumani e kishte mbi shqetësimin për teprinë e masave të arrestit me burg. Vetëm 9.7% e të paraburgosurve tha ai janë të SPAK dhe se problemi duhet parë diku tjetër.

 “Duhet një kujdes më i shtuar te prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. 90% e masave arrest me burg që ne vëmë e zënë subjektet e krimit të organizuar. Dhe për këto subjekte është gati e pamundur të kërkosh masë tjetër sigurie”, nënvizoi ai.

Teksa prezantoi sukseset në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Dumani radhiti pastrimin e parave dhe shkeljet në tendera si krime në rritje, dhe në këtë drejtim u ngriti një shqetësim deputetëve.

“Sekuestrojmë llogari në kriptovaluta, por as ne, as Agjencia e Pasurive të Sekuestrua nuk ka llogari për t’i ruajtur këto vlera.  Janë 11 milionë euro kripto të sekuestruara, nuk kishim si ti ruanim, morëm ndihmë nga një agjenci e huaj partnere që po i ruan për ne. Kemi edhe një shumë më të madhe se kaq dhe nuk dimë ku ta ruajmë”, shtoi kreu i SPAK.

Sipas Dumanit, nga 65.5 milionë euro, 28.7 milionë euro janë të sekuestruara kurse 36.7 milionë euro janë të konfiskuara.

Kreu i SPAK theksoi se gjatë vitit 2024, hetimet kundër pastrimit të parave janë rritur me me 34% në raport me vitin 2023, ndërsa në krahasim me vitin 2023 këto procedime janë trefishuar.

Altin Dumani evidentoi se 45.8% e pasurive të sekuestruara u përkasin zyrtarëve të lartë.

“Gjatë vitit 2024 SPAK ka patur ndjekjen e rekomandimeve të BE, rezolutës së Kuvendit dhe rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Numri i prokurorëve u rrit në 20, u rritën dhe trajnimet ndërkombëtare. U rritën me 8% çështjet në hetim. Në nëntor 2024 u miratua udhëzimi për masat administrative dhe procedura për kryerjen e hetimit pasuror dhe financiar, që i zhvillon paralelisht me hetimin penal. Gjatë vitit 2024, janë sekuestruar 65.5 milionë euro, një rritje me 60% krahasuar me 2023, duke përfshirë pasuri të paluajtshme, bankare dhe kriptovaluta”, u shpreh Dumani.

Për veprën penale të korrupsionit, Dumani sqaroi se  janë hetuar 33 ish-zyrtarë, nga të cilët 19 janë në gjykim dhe 10 të tjerë janë dënuar me formë të prerë.

Në lidhje me terrorizmin, janë shqyrtuar 9 çështje, nga të cilat 1 për financim terrorizmi është dërguar për gjykim. Pjesa tjetër janë në hetim paraprak.

Sa i përket grupeve kriminale shqiptare që veprojnë ndërkombëtarisht, Altin Dumani sqaroi se SPAK ka identifikuar 16 të tilla, duke goditur 10 prej tyre. Këto grupe kriminale shqiptare, të angazhuara në trafikun ndërkombëtar të drogës, kryesisht kokainë e kanabis, veprojnë në disa shtete të BE-së, teksa kanë lidhje direkte në vendet e Amerikës Latine.

Përgjigjen ia dha të drejtpërdrejtë Bylykbashit të PD-së kur e akuzoi për mosveprim për krimet zgjedhore.

“Ne kemi pasur bashkë edhe komunikim. Çdo pretendim tuajin e kemi verifikuar në kohë reale. Kemi dërguar prokurorin edhe në 2 të natës. Madje ju edhe e keni falenderuar. Por çështja është kjo, ne sapo organizojmë punën për të hetuar rastin, shikojmë në media me titra që nw filan vend po blihen vota”, theksoi ai.

Opozitës i dha këtë koment kur u pyet për një çështje shumë të pretenduar prej saj.

 “Lidhur me çështjen Aruba, nuk di të ketë një çështje me këtë emër”, nënvizoi Dumani.

Kryeprokurori i SPAK, në përgjigje të pyetjeve të deputetëve të opozitës njoftoi për herë të parë se SPAK ka regjistruar procedime penale për Irena Gjokën, Portin e Durrësit, eko-parkun, çështjen e abuzimeve me fondet e bujqësisë IPARD dhe çështjen “McGonigal”./shqiptarja

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq