Maqedonia e Veriut shpall gjendje të jashtëzakonshme

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjithë vendin për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Në një adresim për publikun, presidenti Pendarovski tha se vendimi i tij është bazuar në kushtetutën, e cila parashikon një mundësi të tillë nëse parlamenti nuk mund të mblidhet.

“Kam marrë vendimin për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme për mbrojtje dhe menaxhimin e pasojave të përhapjes së virusit COVID-19. Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë dhe momenti kur parlamenti do të jetë në gjendje ta mblidhet, do t’i dorëzohet për konfirmim”, tha Pendarovski.

Para skadimit të këtyre 30 ditëve, ai deklaroi se pret që qeveria t’i paraqesë atij një raport të detajuar mbi efektet e masave të marra deri më tani dhe një propozim të arsyetuar për zgjatje të mundshme të gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë shtesë.

“Fakti që ne shpallim gjendje të jashtëzakonshme për herë të parë që nga pavarësia jonë, tregon se sa komplekse është situata në të cilën gjendemi dhe sa i lartë është rreziku për të gjithë ne. Që nga sot, ekzekutivi do të ketë kompetenca të shtuara dhe do të jetë në gjendje të përdorë të gjitha burimet e shtetit. Po e përsëris, të gjitha, si publike, ashtu edhe private, që ta menaxhojnë epideminë me sukses më të madh”, tha Pendarovski në adresimin e tij.

“Në gjendje të jashtëzakonshme, qeveria do të jetë në gjendje të sjellë rregulla me fuqi ligjore për të vendosur kufizime më të mëdha për lëvizjen e njerëzve dhe në veçanti për të siguruar fonde më të mëdha për të mbështetur ekonominë që po hyn në një periudhë kritike. Epidemia ka rënduar ndjeshëm burimet e shtetit, dhe tashmë në këtë pikë, dëmet për kompanitë që nuk punojnë janë të mëdha. Këtu qeveria duhet të ofrojë ndihmë dhe mbështetje të konsiderueshme”, tha presidenti i Maqedonisë së Veriut.

Sipas Pendarovskit, qeveria do të vazhdojë të funksionojë si qeveri teknike që përfshin shumicën qeveritare dhe opozitën, gjë e cila, siç tha ai, është një mundësi për të demonstruar kujdesin për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe mbrojtjen e shtetit, pa u shqetësuar për përkatësinë politike.

“Në këtë situatë, zgjedhjet e planifikuara për më 12 prill do të shtyhen dhe do të caktohen vetëm kur të krijohen kushte për shprehje të drejtë dhe demokratike të qytetarëve. Të gjitha analizat, debatet dhe kalkulimet për fitim  të votave ose për mandate parlamentare tani duhet të lihen mënjanë, sepse ato janë të pavlera në krahasim me më të çmuarën – mbrojtjen e jetës së qytetarëve tanë”, tha Pendarovski.

Ai kërkoi nga qytetarët të respektojnë masat dhe të mos dalin nga shtëpia pa ndonjë nevojë të rëndësishme.

Po ashtu, ai kërkoi nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut që gjenden jashtë vendet të qëndrojnë në vendet ku gjenden derisa të zgjasë situata aktuale, në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Nëse vendosni të vini në shtëpi, jeni të mirëserardhur, ndërsa kjo do të thotë edhe mundësi që të karantinoheni”, tha Pendarovski.

Ndryshe, vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme erdhi pasi kryeministri Oliver Spasovski sot njoftoi se qeveria ka vendosur të propozojë një hap të tillë. Pasi parlamenti i vendit është i shpërndarë në prag të zgjedhjeve që do të mbaheshin më 12 prill, propozimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme u dërgua te presidenti.

Der më tani, Maqedonia e Veriut ka konfirmuar 35 raste me COVID-19./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne