‘Covid19’ Virus i “viruseve”

Nga Mirvet Ibrahimi
Çkado që të jetë e vërteta në lidhje me shkaqet e paraqitjes së virusit ‘Covid19’ si dhe përmasave të kësaj epidemie, ajo që dëgjojmë dhe shohim përmes mjeteve të informimit, platformave sociale, analizave të ndryshme, delaratave të individëve dhe institucioneve relevante, udhëzimeve të autoriteteve, …etj., na bën të ndjehemi sikurse gjendemi në prag të apokalipsës; situatë kjo e cila na sjell ndërmend inserte të filmave holivudjan të zhanrit apokaliptik apo pos-apokaliptik!
Një virus, i panjohur deri më tani, paraqitet rishtazi në një qytet kinez. Si i tillë, fillimisht injorohet dhe nënvlerësohet. Sakaq, brenda disa javësh fillon të përhapet në vende tjera me ritëm të përshpejtuar. Brenda 3 muajsh kaplon pjesën më të madhe të vendeve të globit. Nga të qenurit epidemi, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpall pandemi.
Mijëra njerëz të vdekur; dhjetëra mijëra të infektuar; miliona të izoluar… Spitale të stërmbushura; mungesë stafi mjekësor; mungesë shtretërish, aparatesh dhe medikamentesh mjekësore… Lëvizje e kontrolluar; kufij të mbyllur; panikë masive… Konsumerizëm dhe blerje histerike… Ankth dhe frikë nga e tashmja dhe e ardhmja…
Askush nuk mund ta parashikojë dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve; askush nuk din se në cilën fazë të krizës jemi, dhe a thua vallë kur do të mbarojë ky ankth!?
Sado sureale, po aq serioze duket kjo situatë!
S’do mend se, në raste ‘stuhish’ të këtilla, logjika e shëndoshë dikton që mbrojtja e vetvetes dhe njerëzve përreth është parësore; e, rëndom, stuhitë janë të përkohshme.
Pasi të kemi ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtje nga stuhi të këtilla, duhet të pasojë reflektimi mbi to, si dhe ndërmarrja e hapave për mbrojtje nga të njejtat herave tjera; ngase, situata të këtilla serioze nuk guxojnë të  kalojnë pa reflektuar mbi to, pa u analizuar, dhe pa nxjerrë mësime; kjo, nga shkaku se, mësimi që nuk mësohet, përsëritet!
Andaj, në këtë kontekst, desha të ndaj me ju disa ‘refleksione’, të cilat do t’i paraqesë në formë ideshë të shkurtëra, të cilat, më shumë shtrojnë pyetje për reflektim të mëtutjeshëm, se sa që mundohen të japin përgjigje përkitazi me çështjet e shtruara.
Për më tepër, duke marë parasyshë fluksin e madh të informatave, bisedave, qasjeve dhe analizave – nga këndvështrime të ndryshme – të cilat janë plasuar dhe vazhdojnë të plasohen në lidhje me virusin në fjalë; dhe, duke e nisur nga fakti se, ky virus dhe ndikimi i tij, është rezultat / pasojë e shumë shkaqeve, para së gjithash, e mungesës së ‘imunitetit’ të duhur (kam për qëllim imunitetin në kuptimin e përgjithshëm të fjalës); logjika e shëndoshë dikton që, të trajtuarit e shkaqeve është po aq i rëndësishëm sa edhe trajtimi dhe evitimi i pasojës; kjo, me qëllim të përforcimit të ‘imunitetit’ tonë për të ardhmen.
Në saje të kësaj, unë, këtë virus e quajta ‘virus i “viruseve”’. Ndërsa, shkakun e këtij emërimi do të mundohem ta trajtoj në mënyrë graduale në postimet e rradhës.

Deri në postimin e rradhës; qofshi nën mbrojtjen e Zotit./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne