Marok, një grup avokatësh kërkojnë anulimin e marrëveshjes për normalizim me Izraelin

Një grup avokatësh në Marok të hënën paraqitën ankesë në Gjykatën e Lartë duke kërkuar anulimin e marrëveshjes së nënshkruar të vendit për normalizim me Izraelin.

Avokatët kërkuan anulimin e të gjitha vendimeve që parashikojnë normalizimin me Izraelin në sferat politike, diplomatike, ekonomike dhe të turizmit.

Ata shtuan se vendimet që janë marrë me qëllim të procesit të normalizimit janë kundër regjimit të përgjithshëm të Marokut si dhe kundër Kushtetutës, Konventës së Kombeve të Bashkuara, legjitimitetit ndërkombëtar dhe konventave të Vjenës.

Maroku dhe Izraeli u dakorduan të normalizojnë marrëdhëniet në marrëveshjen e ndërmjetësuar me ndihmën e SHBA-ve në fillim të këtij muaji.

Si pjesë e marrëveshjes, SHBA-ja njohu sovranitetin e Marokut mbi rajonin e Saharasë Perëndimore, një rajon i diskutueshëm i pretenduar nga Rabat dhe Fronti Polisario i mbështetur nga Algjeria.

Rabati thekson se masa nuk është normalizim por përkundrazi një rifillim i marrëdhënieve zyrtare që filluan në vitin 1993 por u pezulluan në vitin 2002.

Pas Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Sudanit, Maroku u bë vendi i katërt arab që normalizon lidhjet me Izraelin në vitin 2020. Jordania dhe Egjipti gjithashtu vendosën marrëdhënie me shtetin hebre përkatësisht në vitin 1994 dhe 1979.

Palestina si dhe shumë vende të tjera janë kritike ndaj të ashtuquajturave “marrëveshje paqeje”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne