Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 33-të)

Porosia që Mustafa Qemal Pashai (Ataturku) i jep kolonelit të shtabit në pension me origjinë shqiptare Selaudin Shkoza për të shkuar në Shqipëri-II.(vijon nga numri i kaluar)

Mustafa Qemal Pasha i rekomandon Selahattin Beut që Shqipëria të mbajë në Ankara një përfaqësues të rregullt me qëllim për të ruajtur korrespondencën dhe për të ndërtuar marrëdhëniet me shtetet e tjera islame. Pavarësisht se gjatë luftës për pavarësi që bënin të dyja vendet nga Shqipëria nuk u dërgua një përfaqësues në Ankara dihet që ndërmjet brigave (formacioneve) kombëtare shqiptare të krijuara pas shkuarjes së Selahatin Beut dhe Hamdi Beut në Shqipëri dhe Asamblesë Kombëtare në Ankara pa pasur një komunikim të vazhdueshëm me telegraf[1]. Madje sipas gazetës “Peyâm-ı Sabah” tashmë nuk ka më asnjë dyshim që ndërmjet liderëve të Tiranës e Korçës dhe atyre të Ankarasë ekziston një lidhje e vjetër [2].

Një nga shprehjet më të spikatura në letërporosinë që Mustafa Qemal Pasha i dërgon Selahattin Shuajip Beut është edhe kjo:“Të punohet për ndërtimin e solidaritetit që do të sigurojë shpëtimin e të gjithëve” (“cümlenin istihlâsını zâmin olan tesanütün teminine çalışılmasını”), ku Mustafa Qemali këtu me shprehjen “të gjithëve” nënkupton “të gjithë botën islame”. Me këto fjalëMustafa Qemal Pasha thotë se vendet islame për të fituar pavarësitë është i domosdoshëm sigurimi i solidaritetit mes tyre. Mustafa Qemal Pasha mundohet që kjo politikë të dominojë gjatë procesit të Luftës Nacional-Çlirimtare. Si rrjedhim i kësaj ai bën përpjekje që pavarësinë nga imperialistët dhe zgjatimet e tyre ta fitojnë edhe shtetet islame dhe popujt e tjerë të shtypur. Mustafa Qemal Pasha e shikon të arsyeshme dhe të nevojshme që qëndresa kombëtare që kishte filluar në Anadoll të përhapej edhe në vendet e tjera islame duke i kushtuar një rëndësi të veçantë rritjes së bashkëpunimit me këto vende. Kurse shtetet imperialiste mundohen të marrin masa kundër reagimeve të tilla kombëtare që mund të shfaqen në vendet islame, që i mbajnë ato të pushtuara për shkak të interesave të tyre ekonomike dhe strategjike.

Sidomos për Anglinë ka një rëndësi shumë të madhe që India të vazhdojë të mbetet nën mandatin e saj. Për këtë arsye reagimi i myslimanëve me origjinë indiane ndaj pushimit të Anadollit dhe Stambollit shkakton tensione në Angli. Lufta Nacional-Çlirimtare Turke që populli turk realizoi nën udhëheqjen e Mustafa Qemal Pashait përbën një rast unik në botë për nga metoda, përmbajtja, kuptimi, përfshirja dhe përfundimet që solli. Për faktin se Përpjekja Kombëtare ishte vepra e një kryengritjeje madhështore, të ndershme, krenare dhe legjendare kundër imperializmit Mustafa Qemal Pasha përvetësohet edhe si lideri i vendeve të shtypura myslimane[3].

Komandanti i Gruparmatës së 15-të, Qazim Karabekir në raportin e datës 30 dhjetor 1919 që i dërgon Ministrit të Luftës në lidhje me myslimanët shkruan se në qendrat e mëdha të banuara të Sirisë, Palestinës, Mesopotamisë dhe Indisë janë organizuar protesta në përkrahje të kalifit; turma të mëdha besimtarësh myslimanë janë mbledhur përpara xhamive në Bombei, Bender Abbas dhe Bender Bushir dhe kanë protestuar ngjarjet që kërcënojnë Shtetin Osman. Në të njëjtin raport thuhet se edhe drejtuesit e Shërbimit (Informativ) Kombëtar (Teşkilatı Milli) e kanë nxitur popullin të marrë pjesë në këto protesta[4].

Mustafa Qemal Pasha në reportazhin që i dha në datën 10 maj 1920 korrespondentit të “Chicago Tribun” menjëherë pas hapjes së Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) shprehet se lëvizja që kanë filluar është një lëvizje popullore dhe gëzon përkrahjen dhe mbështetjen e Botës Islame. Ndër të tjera Mustafa Qemal Pasha i rikujton korrespondentit se turqit janë populli i fundit mysliman i pavarur dhe i thotë se kështu kanë për të mbetur (të pavarur). Njëkohësisht Mustafa Qemal Pasha thotë se shumica e myslimanëve në vendet e tjera administrohen nga anglezët, ndërsa shton se tani bota islame është zgjuar në një mënyrë vdekjeprurëse, duke e paralajmëruar kështu Anglinë[5].

Mendimin e tij në lidhje me këtë çështje Mustafa Qemal Pasha e shpreh edhe në fjalimin që mbajti në seancën e mbyllur parlamentare një ditë më vonë (24 prill 1920) nga thirrja e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM). Në këtë fjalim Mustafa Qemali thotë se burimi i vetëm, tek i cili janë mbështetur për lirinë dhe çlirimin e vendit është fuqia e botës islame. Sipas Mustafa Qemalit për ti bërë ballë forcës materiale të armiqve duhet siguruar përkrahja materiale e forcave morale të botës islame. Për ta realizuar këtë synim ai deklaron se duhen forcuar lidhjet me popujt islamë në Kaukaz dhe myslimanët e Trakisë Perëndimore. Në lidhje me kërkesën e Sirisë për të dërguar ndihma Mustafa Qemali thotë se forcat dhe burimet njerëzore nuk do të përdoren jashtë kufijve të Turqisë, ndërsa shton se mirëpresin me kënaqësi që e gjithë bota islame të jetë aleat i tyre në këtë luftë po aq sa në aspektin moral edhe në atë material. Në po të njëjtin fjalim Mustafa Qemal Pasha thotë se sjelljet dhe veprimet e anglezëve në Irak e kanë konsoliduar popullin mysliman, duke shtuar se Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Temsil Heyeti) ka realizuar takime me irakianët[6].

Një rëndësi kanë këtu lidhjet që qeveria e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) ndërtoi me qëllim solidarizimin e botës islame, në veçanti me Indinë dhe Afganistanin. Pas pushtimit të Stambollit Mustafa Qemal Pasha iu drejtua botës islame me cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (Heyeti Temsiliye Reisi) dhe në këtë thirrje ai thekson se ky pushtim (pushtimi i Stambollit) më shumë se sa është kryer kundër sulltanatit osman, është një pushtim drejtuar postit të kalifit, madje drejtuar të gjithë botës islame. Pas kësaj thirrjeje të Mustafa Qemal Pashait myslimanët me origjinë indiane në Angli kalojnë në veprim dhe përmes Komitetit Islam i dërgojnë një peticion Kryeministrit britanik Lloyd George. Në këtë peticion ata shprehen se Turqinë e futën në luftë Shtetet e Antantës dhe kërkojnë ruajtjen e statukuosë së para-luftës[7]. Mustafa Qemal Pasha me t’u informuar mbi këtë nismë të myslimanëve të Indisë në datën 13 maj 1920 publikon një deklaratë përmes të cilës i bën të ditur opinionit turk dhe atij botëror se pushtimet angleze, franceze, italiane dhe greke që janë realizuar në Anadoll janë të padrejta[8].

Nacionalistët turq i njihnin mirë ndjenjat e botës arabe dhe myslimane, si rrjedhim ata janë përpjekur që duke filluar nga vendet afër kufijve të tyre për ta shtrirë ndikimin e tyre në të gjitha vendet myslimane, në lindje deri në Kaukazin Lindor, Iran, Afganistan dhe Indi, kurse në perëndim deri në Shqipëri, në jug në Siri, Palestinë, Egjipt dhe Arabi, në jugperëndim Algjeri dhe Marok[9]. Si pasojë e organizimit të një pune të tillë në botën islame me qëllim përkrahjen e Përpjekjes Kombëtare Turke vende si Franca, Italia dhe në veçanti Anglia detyrohen që të bëjnë ndryshime serioze në politikat e tyre ndaj Turqisë.

Mustafa Qemal Pashai në letërporosinë që i shkruan Selaudin Shkozës i kërkon këtij që të vendosë kontaktin dhe të komunikojë me Talat Pashën, i cili në atë kohë gjendej në Berlin, dhe të përcaktojë se deri ku do të krijohen dhe do të arrijnë pikat e përbashkëta të bashkëpunimit. Arsyeja përse Mustafa Qemal Pasha i jep një direktivë të tillë Selaudin Shkozës është letra që kishte marrë nga Talat Pasha, i cili i shkruante mbi marrëdhëniet që kishte ndërtuar në Evropë pasi kishte shkuar në Berlin dhe mbi çështjen e solidaritetit islam në Evropë. Në letrën e tij Talât Pasha flet për punimet e tij në Evropë në lidhje me sigurimin e unitetit dhe solidaritetit islam[10].

I vënë në dijeni mbi punimet e Talât Pashës që ndodhej në Berlin lidhur me bashkimin islam Mustafa Qemal Pasha duke marrë në konsideratë edhe afrinë gjeografike të Shqipërisë me qendrat (kryeqytetet) evropiane i kërkon Selaudin Shkozës që të vendosë kontaktet me Talat Pashën, dhe këtë e bën me mendimin se edhe faktorët dhe elementët e tjerë islamë mund të japin ndihmën e tyre ndaj Shqipërisë. Duke u nisur nga sa është sqaruar më lartë mund të thuhet që Mustafa Qemal Pasha, si nevojë e strategjisë që ndiqej në atë kohë si kundër okupatorit të përbashkët, Greqisë, ashtu edhe në lidhje me marrëdhëniet me vendet islame, është munduar që në këtë përpjekje të përfshijë edhe Shqipërinë. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga:Serdar HÜSEYNİ / trt

Burimet dhe literatura kryesore:

ATATÜRK,Mustafa Kemal, Atatürk’ün Söylev ve Demeçleri, Cilt I-III, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 199, fq. 20-21.

DOSTER, Barış, Atatürk, Türk Dünyası ve Mazlum Milletler, Toplumsal Dönüşüm Yayınları, İstanbul, 2004, fq. 11.

TURAN, Mustafa, Millî Mücadele’de Siyasî Çözüm Arayışları 30 Ekim 1918-24 Temmuz 1923, Siyasal Kitabevi, Genişletilmiş 2. Baskı, Ankara, 2005, fq.188.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

Gazeta “Peyâm-ı Sabah”, 12 maj 1921.

Gazeta “Vakit”, 27 prill 1921.

[1]Gazeta “Vakit”, 27 Prill 1921, fq. 2.

[2]Gazeta “Peyâm-ı Sabah”, 12 Maj 1921, fq. 1.

[3]Barış Doster, Atatürk, Türk Dünyası ve Mazlum Milletler, Toplumsal Dönüşüm Yayınları, İstanbul, 2004, fq. 11.

[4]Mustafa Turan, Millî Mücadele’de Siyasî Çözüm Arayışları 30 Ekim 1918-24 Temmuz 1923, Siyasal Kitabevi, Genişletilmiş 2. Baskı, Ankara, 2005, fq.188.

[5]Mustafa Kemal Atatürk, Atatürk’ün Söylev ve Demeçleri, Cilt I-III, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 199, fq. 20-21.

[6]Doster, po aty, fq. 202.

[7]Doster, po aty, fq. 250.

[8]Turan, po aty, fq. 186.

[9]Turan, po aty, fq. 183-184.

[10]Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, fq. 62 e vijues.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne