Marrëveshja, Jazexhi: SHBA kapitulloi ndaj Iranit, palët do heqin sanksionet ndaj njëra- tjetrës

 

Olsi Jazexhi në MCN Live, diskutoi mbi një marrëveshje të mundshme paqeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila sipas tij shënon një ndryshim të madh gjeopolitik dhe ekonomik në Lindjen e Mesme.

Jazexhi e interpretoi zhvillimin si një kthesë historike në raportet e fuqive globale, duke theksuar se sipas tij SHBA kanë humbur përballjen strategjike me Iranin.

Sikurse e kemi thënë edhe në analizat e tjera, amerikanët e kanë humbur luftën e tyre me Iranin për arsye se Irani ka pasur avantazhin gjeografik kundrejt amerikanëve. Në luftën 40-ditore, iranianët përdorën kartën e Ngushticës së Hormuzit, duke ndaluar naftën arabe e cila mban ekonominë e petrodollarit amerikan. Në këtë luftë ku presidenti Trump ka njoftuar 39 herë që ka arritur marrëveshjen, më në fund duket se amerikanët kanë kapitulluar.

 

Sipas tij, kjo marrëveshje nuk është rezultat i një fitoreje ushtarake të një pale, por i dështimit strategjik të SHBA për të kontrolluar një nga arteriet kryesore të energjisë globale.

 

Ky kapitullim nuk vjen sepse Irani e mundi Amerikën, por sepse këta të fundit dështuan të hapin Kanalin e Hormuzit. Ekonomia amerikane që nga viti ’74 është ndërtuar mbi petrodollarin dhe një marrëveshje me sauditët që nafta të shitet në dollar. Irani e ktheu mbrapsht rrotën e historisë.

 

Ai vijoi duke e vendosur këtë zhvillim në një kontekst më të gjerë historik, duke përmendur edhe kontrollin e burimeve të naftës në rajon gjatë shekujve të kaluar.

 

Nga Britania deri te avancimi në Irak, nafta arabe ka qenë nën kontrollin e perandorisë anglo-amerikane. Por me sulmin dhe zhvillimet në Hormuz, iranianët kanë kufizuar kontrollin e kësaj perandorie mbi naftën.

 

Duke folur për përmbajtjen e marrëveshjes së pretenduar, Jazexhi deklaroi se ajo përfshin një sërë hapash ekonomikë dhe ushtarakë mes palëve.

 

Në marrëveshjen e mirëkuptimit që u firmos mes SHBA-së dhe Iranit, të dyja palët do të heqin sanksionet ndaj njëra-tjetrës. Amerikanët do të largojnë flotën e tyre nga Gjiri i Omanit dhe iranianët nuk do të ndalojnë anijet që shkojnë në portet arabe. SHBA nuk do të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Iranit dhe do të respektojnë sovranitetin e tij.

 

Sipas tij, marrëveshja përfshin edhe lehtësime financiare të mëdha dhe një fond rindërtimi.

 

Ata duan që amerikanët të lirojnë fondet e ngrira të Iranit në banka ndërkombëtare. Brenda ditësh Irani do të marrë 12 miliard dollarë dhe brenda 30 ditëve edhe 12 miliard të tjera, pra 24 miliard dollarë në total. Më pas, brenda 60 ditësh, SHBA do të paraqesin një fond prej 300 miliard dollarësh për rindërtimin e Iranit.

 

Në analizën e tij, ai e lidh këtë zhvillim me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe ndikimin e tij në tregjet globale të energjisë:

 

Pas 60 ditësh Hormuzi do të jetë nën kontrollin iranian dhe do shihet nëse Irani do të vendosë pagesë për çdo cisternë. Trump hyn në këtë lojë me humbje të madhe, sepse rezervat e naftës po mbarojnë dhe nëse Hormuzi nuk hapet, bota do të përballet me kaos.

 

Në fund, Jazexhi theksoi se marrëveshja e supozuar mbart implikime të mëdha për sigurinë rajonale dhe programin bërthamor iranian.

 

Nëse këto arrihen, do të jetë një fitore e madhe për Iranin. Pas 60 ditësh do të diskutohet programi bërthamor, ndërsa programi raketor iranian nuk do të preket.

/mcntv.al

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne