Masakra e Paramithisë

Nga Kastriot Dervishi

“Masakra në Çamëri” është një libër i imi, botim i vitit 2008, përmbledhje dokumentesh, kryesisht të deklaratave të popullsisë çame që emigroi në Shqipëri. Në përkujtim të 27 qershorit 1944, po evidentoj pjesë nga deklarata mëposhtme e emigrantëve nga Paramithia me banim në Vlorë, Mustafa Gaxiri, Elmaz Mustafaraj, Reshit Dako, Xhemil Sako:

“Më datë 27 qershor 1944 kanë ardhur me ushtri komitë që rrethuan qytetin e Paramithisë dhe vunë tellallin që populli të mos ketë frikë. Tregtarët të hapin dyqanet dhe më vonë foli prapë tellalli që çdo mysliman që ka armë, duhet të vijë e t’i dorëzohej në komandën e Paramithisë, pasi populli muhamedan të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe deri në darkë të kësaj date duhej të dorëzoheshin të gjitha armët.

Pasi mori fund dorëzimi i armëve, dhanë urdhër që asnjë të mos qëndrojë në dyqan orët e vona. Kështu u veprua dhe në orët e vona të natës hynë ushtarët nga 8 për çdo shtëpi, mbyllën brenda me roje, ndërsa pjesën më të madhe i vranë rrugës pa i dërguar më në shkollë. Kështu që vrasjet dhe masakrat i filluan të martën mbrëma dhe deri të mërkurën i mbaruan burrat së masakruari me thika e hanxharë. Pasi mbaruan me burrat, u kthyen nga gratë dhe mbasi i rrihnin gratë, u merrnin gjithçka të kishin në shtëpi dhe së fundi zhveshën gratë e reja lakuriq dhe mbasi i çnderuan sa deshën dhe i grabitën që nuk u lanë gjë pa marrë dhe filluan e masakruan gra e fëmijë me thika.

Këtu poshtë po shënojmë disa persona nga të masakruarit sa për të pasur një ditë se si i vranë: Omer Murati, Haxhi Shehu, Sali Prenjo, Muhamet Prenjo, Sali Muhedini, Nuhu Muhedini, Brahe Vejseli, Hysen Veseli, Rexhep Berberi me gjithë familjen e tij, të gjithë të masakruar me thika barbarisht. Janë edhe shumë të tjerë, me qindra.
Gratë e masakruara me thika ishin: Bitulla Brahimi, Qiza Mustreti dhe shumë të tjera të copëtuara me thika dhe sopata, por edhe fëmijë të vegjël (Sanije Durre e djegur me vajguri, Kadrile Qazim Rexhepi e varur me litar në oborrin e Met Brahimit./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne