Mbi 40% e votave janë numëruar/ PS kryeson në diasporë, deri më tani ka diferencë prej 20 mijë votash nga koalicioni i Berishës

Numërimi i votave brenda vendit ndërkohë që pritet edhe rezultati i diasporës. Të dhënat e fundit nga KQZ konfirmojnë dominimin e PS edhe në votën jashtë vendit, me një rezultat që kalon 53% të mbështetjes. Deri më tani janë numëruar 79,409 zarfa nga 194,889 në total, ose 40.7% e votave të diasporës.

PS ka siguruar deri më tani 42,492 vota, duke përfaqësuar 53.97% të totalit të numëruar. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) ka marrë 22,481 vota, përkatësisht 28.55% të votave të numëruara deri tani.

Në vend të tretë renditet Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (NISMA-SHB) me 6,670 vota, ose 8.47%. Lëvizja Bashkë siguron 2,067 vota ose 2.63%, ndërsa Partia Mundësia ka marrë 2,781 vota, përkatësisht 3.53%.

Rezultatet e diasporës mund të prodhojnë surpriza. Tashmë që numërimi i votave brenda vendit ka përfunduar, do të jetë vota e diasporës që do të përcaktojë ndarjen e mandateve edhe pse në një numër shumë të vogël, të paktën 2 ose 3. Një garë të fortë po bëhet me votën e diasporës. Lapaj në Fier rrezikon t’i marrë mandatin PS, e cila mund të zbresë nga 12 në 11 mandate.

Në Lezhë PS mund t’i marrë PD një mandat dhe të përmbysë sërish rezultatin me votën e diasporës, 4 me 3 në favor të saj. Ndërkohë, PS i mori PD një mandat në Vlorë.  Të dhënat tregojnë se PS kryeson në 10 qarqe, Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Tiranë e Vlorë, ndërsa opozita arrin të mbajë vetëm dy bastione në veri, Kukës dhe Shkodër.

Edhe pse KAS rrëzoi vendimin e KQZ, numërimi i votave për Greqinë ende nuk ka nisur, pasi presin vendimin e zbardhur të KAS. PS kërkoi nga KAS shfuqizimin e një akti të kryekomisionerit që parashikonte që çdo zarf nga diaspora që kontestohet, të lihet mënjanë me një kuti të posaçme. Ky vendim erdhi pas kontestimit të PD për votën e Greqisë, por akti i Celibashit u rrëzua nga KAS.

Partitë e tjera renditen me më pak se 1% të votave:

Partia Socialdemokrate – 880 vota (1.12%)
Partia Koalicioni Euroatlantik – 546 vota (0.69%)
Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare – 457 vota (0.58%)
Koalicioni Djathtas për Zhvillim – 207 vota (0.26%)
Lëvizja Atdheu  – 108 vota (0.14%)
Partia Aleanca Demokracia e Re – 40 vota (0.05%)/Gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne