Mbi 60 mijë aplikime për kredi në 2023, u refuzuan 24%. Bankat u kanë thënë “jo” 6% të aplikimeve të individëve

Gjatë gjashtëmujorit të parë 2023 bankat raportojnë se kanë marrë në shqyrtim gjithsej 60,782 aplikime për kredi, nga të cilat 8% i përkasin sektorit të “ndërmarrjeve” dhe 92% i përkasin sektorit të “individëve”,  (56,055 aplikime gjithsej). Sa i përket bizneseve, bëhet fjalë për 2,533 aplikime nga “ndërmarrje të vogla dhe të mesme” dhe 2194 aplikime nga “ndërmarrje të tjera”.

Për t’u theksuar është se numri total i aplikimeve për kredi të shqyrtuara nga bankat ka shënuar rënie me 5.5% krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe kjo rënie ka ardhur nga “ndërmarrjet e vogla dhe të mesme” (me 21.6%) dhe individët (me 4.9%), ndërkohë që kategoria “ndërmarrje të tjera” ka rezultuar në rritje me 2.1%. Krahasuar me një vit më parë, numri i aplikimeve gjithashtu ka rezultuar në rënie me 7.9%, e ardhur nga të tre kategoritë e klientëve, por më e theksuar për “ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.

Sipas Bankës së Shqipërisë, norma e refuzimit ka ardhur në rritje për bankat me kapital vendas dhe të huaj, dhe ka përfshirë të gjitha kategoritë e klientelës. Vihet re se gjatë periudhës, të dy grupet bankare kanë shfaqur një prirje të theksuar refuzuese ndaj kërkesave për kredi të ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që kanë qenë më pranuese ndaj “ndërmarrjet e vogla dhe të mesme” duke refuzuar në total vetëm 7% të aplikimeve në rastin e bankave të huaja dhe 9% të aplikimeve në rastin e bankave me kapital vendas. Përsa i përket segmentit të individëve, të dy grupet kanë vijuar të kenë qëndrime të kundërta. Kështu, bankat vendase, kanë refuzuar vetëm 6% të aplikimeve, ndërkohë që bankat e huaja shfaqen më pak të interesuara ndaj këtij segmenti duke refuzuar rreth 33% të aplikimeve./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne