TIRANË – Në seancën e radhës në gjyqin ndaj Dosjes Gërdeci ku i pandehur është marrë Fatmir Mediu, ky i fundit nuk u paraqit pasi sipas avokatëve ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vizita mjekësore.
Kjo gjë solli debat në seancë ku prokurorët kërkuan vazhdimin e gjyqit pa praninë e tij. Ish ministri paraqiti një rekomandim nga një spital privat që thuhej që duhet të kryej ekzaminime mjekësore.
Ndërkohë Prokurori Klodian Braho u shpreh se rekomandimi duhej të jepej nga mjeku i familjes dhe jo nga një spital privat në mënyrë që të njihej ligjërisht.
Në sallën e gjyqit Zamira Durda u shpreh se procesi duhet të merret seriozisht nga gjykata.
“Kush i tha atij të rrinte 10 orë në radhë për Trumpin”, u shpreh ajo.
Në seancën e radhës të caktuar më 12 shkurt ora 9:00 ekspertët do duhet të paraqesin në mënyrë të përmbledhur raportin për aktin tekniko ushtarak.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Gjyqi ndaj Fatmir Mediut vijon prej prillit 2023. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues./Shqiptarja