Në kampin Ashraf 3, gjithçka është e planifikuar me kujdes nga orari i drekës, deri te mënyra si duhet të lavdërohet organizata. Këtë herë, “Rojen” Haider Voçi ka marrë përsipër detyrën fisnike për të na treguar se sa të mirë, të dashur e të përkushtuar janë Muxhahedinët Popullorë të Iranit. Dhe e ka bërë me aq pasion, sa në një moment s’të kuptohet më nëse po flet ai, apo ndonjë broshurë zyrtare e MEK-ut.
Në artikullin e tij, Voçi na përshkruan një drekë “familjare”, me “qindra njerëz” dhe “afërsi të sinqertë”. Pjata plot, buzëqeshje plot, dhe fjalë për “miqësi” që do t’i kishin zili edhe serialet turke. Sipas tij, Muxhahedinët i trajtojnë fqinjët si pjesë të familjes – ndoshta prandaj ndonjëherë edhe shkruajnë në emër të tyre.
Festat e tilla janë kthyer në traditë në Ashraf 3: çdo vit, të njëjtët njerëz, të njëjtat fjalë dhe i njëjti mesazh – që MEK është “humanizëm, respekt dhe qëndresë”. Vetëm se këtë herë, për t’u dukur më natyral, zërin e lavdërimit ia kanë dhënë një “fqinj” të njohur, që duket më shumë si përfaqësues i PR-it sesa si mysafir.
Në fund, Haideri e mbyll me shpresën “për një Iran të lirë e demokratik”. Një mbyllje aq e përsosur, sa ndoshta do ta fusin si model në trajnimin e radhës për “komunikim publik”. Sepse në Ashraf 3, as lavdërimet nuk lihen rastësisht edhe ato kalojnë nga filtri i organizatës.
Nëse do kishte një çmim për “artikullin më të sinqertë të redaktuar nga vetë objekti i lavdërimit”, padyshim do ta fitonte kjo perlë me titull “Një përvojë solidariteti dhe miqësie”. Sepse askush s’e bën më mirë se MEK-u: përdor të tjerët për të folur vetë dhe i falënderon që flasin “vullnetarisht”.
Statusi i plotë:
NGA: Haider Voçi
Një përvojë solidariteti dhe miqësie
Festë madhështore në Ashraf 3 për përvjetorin e gjashtëdhjetë
Të dielën, me rastin e përvjetorit të 60-të të themelimit të Organizatës Muxhahedinët Popullorë të Iranit, unë së bashku me fqinjët dhe banorët e zonave përreth Ashraf 3, ishim të ftuar në një drekë festive nga kjo organizatë.
Atmosferë familjare mes qindra njerëzve në një ditë gëzimi
Në sallën ku u mbajt ngjarja, u mblodhën qindra njerëz – familje, fëmijë dhe banorë të zonës – në një atmosferë jashtëzakonisht të ngrohtë dhe miqësore. Pavarësisht numrit të madh të pjesëmarrësve, ndjehej një afërsi e sinqertë, si në një familje të madhe.
Muxhahedinët na trajtojnë gjithmonë si pjesë të familjes
Muxhahedinët na kanë thënë shpesh se i konsiderojnë fqinjët dhe banorët përreth si pjesë të familjes së tyre – dhe këtë e ndjeva fuqishëm në këtë ditë.
Mi qësi të forta e besim i ndërtuar ndër vite së bashku
Prej disa vitesh i njoh nga afër anëtarët e kësaj organizate dhe kam krijuar miqësi të ngushta me disa prej tyre. Me kalimin e kohës, kemi ndërtuar besim dhe ndjenja të ndërsjella, dhe jam njohur me dhimbjet dhe sakrificat që ata kanë përjetuar gjatë luftës së tyre kundër regjimit klerikal në Iran.
Përballë shpifjeve, festat dëshmojnë të vërtetën e humanizmit
E dimë gjithashtu që regjimi iranian shpenzon shuma të mëdha për të shpifur dhe demonizuar Muxhahedinët. Por përvoja jonë personale, si kjo festë e bukur dhe domethënëse, tregon një të vërtetë tjetër – të vërtetën e humanizmit, qëndresës dhe respektit të ndërsjellë.
Shpresë për një Iran të lirë ku të gjithë festojmë
Jam shumë i lumtur që mora pjesë në këtë festë dhe shpresoj me gjithë zemër që Muxhahedinët së shpejti të arrijnë qëllimin e tyre për një Iran të lirë dhe demokratik. Dhe siç thonë gjithmonë me buzëqeshje, një ditë të na ftojnë edhe ne në Iranin e lirë.
/gazetaimpakt

















