Izraeli ka vendosur të rimbyllë kalimin kufitar të Rafah-ut midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit , siç kërkohet nga marrëveshja e armëpushimit, duke sanksionuar Hamasin për dështimin në përmbushjen e angazhimit të tij për të kthyer trupat e të gjithë pengjeve të vdekur që mbahen ende në Rrip.
Izraeli ka vendosur të mbyllë pikën e kalimit Rafah në kufirin jugor të Rripit të Gazës me Egjiptin duke filluar nga nesër, dhe të kufizojë fluksin e ndihmës humanitare derisa të marrë trupat e pengjeve të ndjera nga Hamasi.
Sipas “Channel 13”, thuhet se në zbatimin e këtij vendimi, udhëheqja politike e Izraelit ndoqi rekomandimet e forcave të sigurisë për të vendosur sanksione ndaj grupit islamist palestinez Hamas nëse ai nuk do të përmbushte kushtet e marrëveshjes së armëpushimit.
Një ditë pas liriimit të 20 pengjeve të gjallë dhe firmosjes së marrëveshjes së paqes në Egjipt, Izraeli pret përfundimin e dorëzimit të të gjithë trupave të pengjeve të vdekur. Deri në mbrëmjen e së hënës, Hamasi i dorëzoi kryqit të kuq trupat e 4 të vdekurve ndërsa në total marrëveshja përcakton dorëzimin e të gjithë 28 atyre që nuk jetojnë më.
Izraeli ka caktuar si afat të fundit mbrëmjen e kësaj të marte kur pret që të gjithë trupat të jenë dorëzuar. Ndërmjetësuesit kanë deklaruar se grupi terrorist po has vështirësi në lokalizimin e të gjithë trupave, megjithatë, sipas transmetuesit publik Kan, Izraeli beson se Hamasi i ka tashmë disa prej trupave, por refuzon t’i dorëzojë.
Kryqi i Kuq ka deklaruar se do të kërkojë kohë për të dorëzuar trupat e pengjeve të vrarë gjatë luftës, duke e quajtur këtë një “sfidë të jashtëzakonshme” për shkak të vështirësisë për të gjetur trupat mes rrënojave të Gazës. Këtë e raportojnë mediat ndërkombëtare.
“Është një sfidë edhe më e madhe se lirimi i të gjallëve” tha zëdhënësi i komitetit botëror të kryqit të kuq Christian Cardon, që shton se kjo mund të zgjasë ditë ose javë dhe se ekziston mundësia që disa trupa të mos gjenden kurrë.
Ndërkohë ushtria izraelite vrau 5 palestinezë të cilët siç tha u afruan tek ushtarët duke shkelur vijën e përcaktuar në marrëveshjen e armëpushimit. /shqiptarja
















