Mianmar, rritet në 459 numri i viktimave në protestat kundër grusht shtetit

Është rritur në 459 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë në protestat që zhvillohen kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur.

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) thuhet se në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 36 humbje të jetëve të tjera, duke rritur në të paktën 459 numrin e viktimave.

Në vend nën arrest ndodhen 2.559 persona dhe 119 të tjerë janë fshehur për shkak se ndaj tyre ka një urdhër arresti.

Ndërkohë mësohet se edhe dje kanë vazhduar përleshjet mes ushtrisë së Mianmarit dhe Unionit Kombëtar Karen (KNU) grupit të armatosur të grupit etnik Karen.

Si pasojë e sulmeve ajrore që ushtria e Mianmarit zhvilloi në zonën Hpapun në rajonin Karen njoftohet se rreth 3 mijë civilë kanë braktisur vendbanimet e tyre.

Në një ndërtesë që ushtria e Mianmarit dogji dje në Mandalay humbën jetën 7 persona si dhe 11 të tjerë u plagosën.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Turqia dënoi grushtin e shtetit, ndërkohë kritika dhe reagime të ndryshme erdhën edhe nga vende të ndryshme perëndimore.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën 459 protestues.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne