Një grup ministrash izraelitë nga partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu i kanë bërë thirrje qeverisë që të aneksojë Bregun Perëndimor brenda fundit të muajit. Pesëmbëdhjetë ministra të kabinetit, si dhe kryetari i parlamentit, Amir Ohana, nënshkruan një letër ku argumentojnë se krijimi i një shteti palestinez në këtë zonë do të përbënte një “kërcënim ekzistencial” për Izraelin dhe politikën e tij të vendbanimeve.
Sipas letrës, e publikuar të mërkurën, ky hap duhet të ndërmerret përpara përfundimit të sesionit veror parlamentar më 27 qershor. Në të theksohet se Jerusalemi Perëndimor duhet të përfitojë nga “dobësimi i Iranit dhe aleatëve të tij në rajon” pas konflikteve të fundit me Izraelin.
“Masakra e 7 tetorit vërtetoi se doktrina e blloqeve të vendbanimeve dhe krijimi i një shteti palestinez në territorin e mbetur përbëjnë një rrezik ekzistencial për Izraelin. Është koha për sovranitet,” shkruajnë ministrat, duke iu referuar sulmit të vitit 2023 nga organizata militante Hamas me bazë në Gaza, që çoi në përshkallëzimin më të fundit të konfliktit.
Ministri i Financave, Bezalel Smotrich i cili nuk është pjesë e Likud-it përgëzoi nismën dhe tha se Administrata për Vendbanimet Izraelite në Bregun Perëndimor është e gatshme të veprojë menjëherë pas një urdhri të qeverisë.
“Në ditën që ai (Netanyahu) jep urdhrin, Administrata e Vendbanimeve nën drejtimin tim është gati… për të zbatuar sovranitetin menjëherë,” tha ministri, i cili gjithashtu mban një rol brenda Ministrisë së Mbrojtjes për çështje që lidhen me Bregun Perëndimor.
Autorët e peticionit shtojnë se ky është momenti i duhur për veprim për shkak të “partneritetit strategjik, mbështetjes dhe përkrahjes së SHBA-së dhe presidentit Donald Trump.” Zhvillimi ndodhi përpara takimit të planifikuar të Netanyahut me Trumpin javën e ardhshme, ku pritet të diskutojnë për një armëpushim të mundshëm në Gaza dhe një marrëveshje për pengjet me Hamasin.
Gjatë mandatit të tij të parë si president, Trump e zhvendosi ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem dhe njohu sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan të pushtuara – duke shkaktuar dënim të gjerë ndërkombëtar.
Para publikimit të letrës, Ministri i Drejtësisë Yariv Levin bëri një thirrje të ngjashme, e cila u dënuar nga Arabia Saudite dhe Egjipti. Riadi e quajti atë një “shkelje të rezolutave legjitime ndërkombëtare,” ndërsa Kajro kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë.
Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor nga Jordania gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967 dhe prej atëherë ka ndërtuar në mënyrë aktive vendbanime në këtë zonë – një veprim që konsiderohet i paligjshëm nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare. Në vitin 2020, Izraeli ishte afër aneksimit, por e hoqi idenë në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin./gazetaimpakt/rt