Ministri Petrit Malaj legalizon konfliktin e interesit në zemër të financave publike

Si Ministri i Financave përjashton ligjin për të hapur rrugën e qokave, duke lejuar auditues me biznese private të mbikëqyrin njëri-tjetrin dhe fondet e shtetit…

Edhe vetë ministri Malaj, krye-tatimori Ilir Binaj dhe familjarët e tyre, kanë biznese auditimi, duke qenë në konflikt interesi me funksionet e larta shtetërore që kanë…
Edhe Ministri i Financave, Petrit Malaj, nën shembullin e kryeministrit, nuk po i përfill ligjet, duke nxjerrë urdhra me përmbajtje që shërbejnë për të bërë qoka me poste drejtuese për të preferuarit e kupolës së pushtetit dhe miqtë e tij.

Me Urdhrin nr. 153, datë 16 dhjetor 2025, ministri Petrit Malaj ka njoftuar nisjen e procesit për zgjedhjen e tre anëtarëve dhe kryetarit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, strukturë që varet drejtpërdrejt prej tij.

Një nga kriteret për t’u bërë anëtar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike është ky: aplikuesit të mos kenë lidhje të afërta deri në shkallë të dytë me personat që janë pjesë e organeve të zgjedhura të organizatës së audituesve ligjorë.

Ministri Petrit Malaj legalizon konfliktin e interesit në zemër

Por ministri Petrit Malaj, në shkelje të ligjit, ka bërë sikur ka “harruar” të vendosë kriterin ligjor që aplikuesve për anëtarë dhe drejtues të Bordit të Mbikëqyrjes Publike u ndalohet të kenë biznese auditimi, pasi kjo përbën konflikt të drejtpërdrejtë interesi.

Bordi i Mbikëqyrjes Publike ka për detyrë të kontrollojë cilësinë e punës së audituesve, të kryejë monitorim dhe vlerësim, të mbikëqyrë zbatimin e procedurave të testimit, si dhe të regjistrojë audituesit ligjorë dhe shoqëritë audituese, përfshirë edhe vendosjen e masave disiplinore ndaj tyre.

Sipas kritereve të vendosura nga ministri Petrit Malaj, në garën për t’u bërë anëtar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike nuk lejohen persona që kanë lidhje familjare me drejtues të organizatës së audituesve ligjorë, por lejohen ata që zotërojnë biznese auditimi.

Edhe vetë ministri Petrit Malaj, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, si dhe bashkëshortet, prindërit dhe familjarët e tyre, zotërojnë kompani private me aktivitet auditimin, duke qenë në konflikt të hapur interesi me funksionet e larta shtetërore që ushtrojnë.

Aktualisht, anëtare e Bordit të Mbikëqyrjes Publike është Adriana Berberi, e cila ka biznes auditimi. Bashkëshorti i saj është specialist në Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara në Ministrinë e Financave; djali i saj punon në Drejtorinë e Ekspertëve Kontabël dhe Audituesve në Ministrinë e Financave; ndërsa nusja e djalit është deputetja e PS-së, Bora Muzhaqi.

Anëtarë të tjerë të Bordit janë:

– Dritan Fino, Drejtor i Përgjithshëm i Menaxhimit të Fondeve të BE-së në Ministrinë e Financave;

– Martin Mici, Drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë, Mbrojtjes së Bimëve dhe Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë;

– Luan Abazi, Drejtor Ekonomik-Financiar dhe Sekretar i Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme;

të gjithë persona që kanë ose kanë pasur biznese auditimi.

Kaq “i pavarur” është sot Bordi i Mbikëqyrjes Publike, me anëtarë dhe drejtues që mbajnë poste pushteti dhe zotërojnë biznese auditimi. Dhe sipas urdhrit të ministrit Petrit Malaj, po kaq “të pavarur” do të jenë edhe anëtarët e rinj, të cilët, në shkelje të ligjit, do të lejohen të kenë biznese auditimi dhe, në praktikë, do të… kontrollojnë veten./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne