Bujqësia ka qenë një nga sektorët që përballoi më mirë goditjen që na dha kriza e sjellë nga pandemia si dhe dha një kontribut të madh në ekonominë e vendit. Por, tashmë ky sektor po shkon drejt degradimit për shkak të mungesës së subvencioneve, për shkak të largimit të fuqisë punëtore si pasojë e pagave të ulëta dhe mungesës së siguracioneve. Një shkak tjetër i rëndësishëm është mungesa e investimeve nga qeveria për të krijuar një treg të mirëfilltë me kushte dhe konkurrencë. Këto problematika i ka evidentuar në një raport të publikuar së fundmi Organizata e Ushqimit në Kombet e Bashkuara (FAO), e cila në një analizë ka konstatuar se fermerët shqiptarë marrin mbështetje 18 herë më të ulët se vendet e tjera në rajon dhe Evropë.
Në raportin që ka siguruar “Porta Vendore”, evidentohet se fermerët shqiptarë marrin mbështetje direkte vetëm 3 euro për hektar, ndërsa 42 euro shkon për institucionet. Ndryshe nga vendet e tjera kur financimet, qoftë të sigluara nga buxheti i shtetit qoftë nga donatorë dhe organizata ndërkombëtare shkojnë direkt te fermeri. Madje, sipas raportit të FAO, Shqipëria është më keq se Kosova, ku 53 euro për hektarë shkojnë drejtpërdrejt te fermeri. “Në Bosnjë, fondi për zhvillimin rural është 66 euro për hektar, 60 euro shkojnë për mbështetje për fermerin dhe pjesa tjetër, administrim. Në Kosovë jepen gjithsej 69 euro/ha si mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerin dhe 54 euro të tjera shkojnë për administrim. Në BE, nga 446 euro/ha për zhvillimin rural që u dhanë mesatarisht më 2018, 274 euro shkuan për mbështetje direkte tek fermerët. Në vitin 2018, vendet e Ballkanit Perëndimor dhanë mbështetje direkte tek fermerët 53 euro/ha, ndërsa Shqipëria vetëm 3 euro/ha, ose 18 herë më pak”, thuhet në raport.
Fermerët shqiptarë pa mbështetje nga qeveria
Ndër të tjera, FAO evidenton se Shqipëria çon shumë pak fonde publike në bujqësi, teksa ka një strukturë të përkeqësuar të përdorimit të tyre, pasi fondet nuk shkojnë aty ku duhet, mbështetje direkte tek fermerët. FAO analizoi se me këtë nivel financimesh Shqipëria nuk ofron asistencë të mjaftueshme për fermerët shqiptarë që të përballen me konkurrencën e tregut. Ndërkohë edhe në planin afatmesëm, fondet për bujqësinë raportohen në reduktim. Kjo bën që fermerët në Shqipëri të kenë edhe më pak të ardhura se fermerët në vendet e tjera të rajonit. “Vetëm 25% e fermave grumbullojnë më shumë se 3000 euro dhe 5500 euro të ardhura në vit nga aktivitetet bujqësore. Ndërkohë 27% e tyre nxjerrin më pak se 750 euro të ardhura dhe pothuajse gjysma e fermave siguron 750 deri në 3 000 euro, me një mesatare prej gati 1 700 euro për familje, ose rreth 500 euro për person në moshë pune (mbi 16 vjeç)”, thuhet në raport.
Në këtë kuadër, FAO konstaton se qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse duhet të marrin vendime me ndikim të gjerë, si p.sh: duhet të promovohen sektorët e brendshëm, duke përfshirë bujqësinë, mundësisht të mbrohen nga të huajt konkurrenca. Pasi zhvillimi ekonomik dhe rritja e këtij sektori varen edhe strukturor të ndodhura me kalimin e kohës. Pse jo të ndiqen si shembuj modelet e tregjeve ndërkombëtare, ku baza të jetë konkurrenca dhe mbështetja e fermerëve vendas.
“Prandaj, përpunimi i politikave të qëndrueshme të tregtisë, zbutja e varfërisë, informaliteti dhe mbështetja e drejtpërdrejtë e fermerëve kërkon një adekuate të të kuptuarit të proceseve dinamike që zhvillohen”, thuhen në raport. “Të ardhurat e ulëta nga bujqësia dhe varfëria rurale duhet të kthehen përmes një zhvillimi të integruar të fermave familjare, së bashku me zhvillimin e punësimit brenda dhe jashtë fermës dhe mundësive ekonomike si për gratë ashtu edhe për burrat. Duhet të merren hapa të menjëhershëm që Shqipëria të mos mbetet pas në tregun europian dhe rajonal”, analizon Morten Hartvigse, ekspert i FAO.
Problemet në skemën e rimbursimit të naftës
Në analizën e publikuar FAO thekson se skema për rimbursimin e naftës për fermerët ka një sërë problemesh për shkak të mungesës së transparencës dhe kritereve burokratike. Këtë konstatim e vërtetojnë të dhënat e vitit të shkuar, ku në total përfituan naftë falas 19 mijë fermerë nga 70 mijë që ishte plani fillestar. “Skema për naftë falas është zhvilluar në vitin 2021, ku kanë përfituar 19 mijë fermerë në të gjithë vendin. Kjo skemë do të zhvillohet edhe për vitet në vijim ku planifikojmë që numri i fermerëve përfitues të rritet, pasi janë rritur edhe regjistrimet në rrugë formale të tyre”, ka deklaruar Frida Krifca një muaj më parë nga Kuvendi. Ndërkohë, për këtë vit sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, është planifikuar që të përfitojnë naftë falas 400 mijë fermerë. Por fermerët vazhdojnë të ankohen për procedura diskriminuese dhe sistemi në e-Albania për aplikime shpesh nuk punon.
Vetë AKSHI konfirmoi se gjatë prillit dhe në javët e para të majit portali u bllokua për shkak të fluksit të aplikimeve, ndërsa qeveria vazhdon të bëjë thirrje për aplikim në këtë skemë. Në fjalën e tij në parlament në një seancë gjatë muajit prill kryeministri deklaroi se rimbursimi i naftës për vitin 2022 është shtuar në masën 40% me tepër se viti 2021, që sipas shifrave duhej të ishte mbi 11 milionë Euro. Por një dokument zyrtar tenderimi, i firmosur nga Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, vërteton se për vitin 2022, fondi i rimbursimit të naftës është pakësuar me 20%. Konkretisht, për vitin 2021, qeveria akordoi 10 miliardë lekë rimbursim nafte të ndarë në kategori e kapacitete fermerësh, ndërsa fondi në buxhetin e vitit 2022 është planifikuar në vlerën 7.9 miliardë lekë. Këtë e konfirmon njoftimi i ministres Krifca më 14 shkurt, e cila tha se fondi për këtë vit ka pasur reduktim, pas disa rishikimeve të bëra në buxhet.
Kriteret diskriminuese
Në shkurt të këtij viti qeveria publikoi rregullat e reja për të përfituar naftë falas për fermerët. Përveç faktit se çdo procedurë tashmë ata duhet ta kryejnë online, në këtë vendim janë shtuar disa kritere të reja që paralizojnë disa nga fermerët. “Nuk do të jenë përfitues të kësaj skeme fermerë të regjistruar me numrin NIPT, kur kanë më pak se 10 lopë, apo më shumë se 50 lopë, për ata që kanë më pak se 100 dele e dhi apo ata që kanë më shumë se 300 dele apo dhi. Nëse një fermer do që të fitojë skemën e ndërtimit të një sere të re, ai duhet të ketë të paktën 100 milionë lekë të vjetra, pasi shteti ka vënë një dysheme për ndërtimin e 1 hektari me serë”, thuhet në vendim. Ndërsa më tutje theksohet se, shteti rimburson vetëm 50% të vlerës, pasi 50 % e vlerës tjetër duhet ta ketë fermeri. Skema bëhet edhe më përjashtuese, pasi fermerëve iu kërkohen një sërë dokumentesh, të cilat i pengojnë për aplikim.
Shtrenjtimi i çmimit të naftës ka ndikuar edhe te fermerët, të cilët shpenzojnë shumë karburant për të punuar tokat e tyre. Sikur e cekëm më lart, qeveria do të rimbursojë vetëm 80 lekë për litër naftë këtë vit, ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga vetë fermeri. Por, sikur kemi parë çmimi i naftës gjatë këtij viti nuk ka zbritur poshtë vlerës 230 lekë për litër, çka do të thotë se më gati 70% e kostos do të paguhet nga vetë fermeri. Në raport me një vit më parë, të dhënat tregojnë se një fermer do të paguajë 5% më shumë taksë për naftë./SOT