Mirosllav Krlezha për intrigat e Kishës Katolike, pushtetin e papës dhe prapaskenat e Vatikanit

Naim Abdurrahmani

Mirosllav Krlezha lindi më 7 korrik 1893 në Zagreb dhe vdiq më 29 dhjetor 1981 po në Zagreb, në moshën 88-vjeçare.

Është shkrimtari më i madh kroat i shekullit të njëzetë, një njeri i tillë që në kulturën e një vendi shfaqet një herë në njëqind vjet ose edhe më rrallë. Vepra e tij sot është pak a shumë e panjohur për publikun e gjerë lexues, sepse Krlezha, në rrethanat politike dhe shoqërore në të cilat jetojmë, bën pjesë në mesin e shkrimtarëve politikisht të papërshtatshëm.

Në librin “O religiji”, Krlezha trajton, përmes fakteve dhe kritikës së tij, rolin e Kishës Katolike, klerit, papatit dhe Vatikanit gjatë historisë. Më poshtë po sjell disa prej temave dhe pasazheve ma karakteristike të këtij libri, ku Krlezha e vë në pikëpyetje të thellë autoritetin e Kishës, papatin dhe prapaskenat e Vatikanit:

1️⃣ Kisha Katolike dhe pushteti që e mbërthen njeriun prej lindjes deri në vdekje
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

Kur kemi lindur, na kanë kriposur me kripë romake, na kanë lagur me ujë romak dhe na kanë lyer me vaj romak.

Gjatë gjithë jetës na këndojnë këngë katolike romake, prej djepit deri te varri. Kambanat romake na përcjellin prej lindjes deri në vdekje, sikur edhe vetë jeta të ishte një meshë pa fund. E krejt kjo ku jetojmë (Kroacia) është e rrethuar me grila romake (kisha). Me pak fjalë: lind romak, jeton romak, dëgjon kambanat romake dhe, në fund, përcillesh përtej jetës nën tingujt e tyre.

E gjithë kjo është një mënyrë e vjetër, e verbër dhe e deformuar për ta përjetuar jetën: nga djepi te varri, gjithçka kthehet në rit, simbol e ceremoni, ndërsa vetë jeta mbetet diku në thellësi, e harruar.

2️⃣ Privilegjet dhe rehatia e Kishës.
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

Katolicizmi jeton në manastire dhe bujtina relativisht të mira, me ujë të ftohtë e të ngrohtë dhe me shërbëtore të bukura. Tradhtinë bashkëshortore dhe bashkëjetesën jashtë martesës i toleron disi, ndërsa edhe fëmijët jashtë martese mund të rriten. Kur ka “mundësi”, shtrohet tryeza: supë pule, salsiçe, ëmbëlsira e verë, ndërsa, sipas rastit dhe kohës së vitit, vijnë edhe festat e shenjtorëve, si Shën Toma, bashkë me breviarin (librin e lutjeve të përditshme të klerit) dhe litanitë (lutje me thirrje të përsëritura). E kështu, në fund, dëshmohet se Zoti qenka i mëshirshëm.

3️⃣ Mëkati, rrëfimi ~pagesa dhe “rehatia” shpirtërore
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

Mundesh me mëkatu sa të duash, sepse gjithmonë e ke mundësinë me u pendu e me kërku falje. Por, mbi të gjitha, duhet me qenë i përulur para ipeshkvijve dhe autoritetit të Kishës. Edhe nëse ndërgjegjja nuk të është krejt e pastër, prapë mundesh me e qetësu shpirtin: shko rrëfehu, pendohu dhe, nëse për faljen e mëkatit kërkohet edhe pagesë, paguaje. Pastaj mëkati lahet prej shpirtit, njësoj siç lahen kambët çdo të shtunë.( Larja eKëmbëve ~Mandatum~ që lidhet me Darkën e Fundit.)

4️⃣ Kisha katolike si organizatë cinike.
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

Kisha Katolike është një organizatë cinike, që merret haptazi me simoni (shitblerje të posteve ose privilegjeve kishtare për para) dhe me tregti skllevërish. Është një turmë e korruptuar, moralisht e paqëndrueshme, e cila merret më shumë me kontrata shitblerjeje sesa me çështje mbinatyrore.

Kisha, e mbështetur nga protektorët e saj, gëzon privilegje të shumta. Ndërsa fisnikëria përpiqet ta imitojë aristokracinë bizantine në veshje e në zakonet shoqërore, kleri katolik vazhdon, me një paturpësi barbare, të merret me magji pagane dhe të kryejë ekzorcizma (rite për dëbimin e demonëve ose shpirtrave të këqij), natyrisht, kundrejt pagesave të majme. Edhe demonët, me sa duket, nuk dëbohen falas.

5️⃣ Kisha Katolike: taksa, zhvatje dhe moral mbi kurrizin e bujkut
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

Është e papërshkrueshme marrëzia e kësaj shkeljeje ndaj njerëzimit të zhytur në mjerim shoqëror, në emër të disa rregullave morale të Kishës Katolike.

Për bujkun që varet nga Kisha, ajo është thjesht një feudal me petk fetar: një zotëri që sundon mbi të dhe i merr detyrimet e veta. Por feudali, të paktën, mjaftohet me detyrimet që i takojnë dhe nuk e lodh bujkun me predikime për mëkatin, moralin dhe shpëtimin e shpirtit.

Feudalin e intereson vetëm e dhjeta e prodhimit të bujkut, ndërsa ipeshkvin, përveç së dhjetës, e intereson edhe lukna (një tatim shtesë prej rreth 5–10% të prodhimit të bujkut), pra detyrimi që i takon Kishës.

Pra, Kisha, përveçse i merr detyrimet e veta, i dikton bujkrobit edhe si duhet të jetojë, si duhet të sillet e madje edhe për çfarë duhet të ndihet fajtor.

6️⃣ Kambanat e Kishës: dy mijë vjet propagandë dhe agjitacion fetar
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

Çfarë agjitacion-propagandë e poshtër është kjo?!

Prej dymijë vjetësh, nga të gjithë kambanoret e globit përhapet e njëjta frazë boshe dhe me të mbushen trutë e budallenjve!

Kambanat bien në mëngjes, në mesditë e në mbrëmje. Bien kur vdekja kalon përmes Kaptolit (lagjja historike e Zagrebit dhe qendra e Kishës Katolike), kur dielli digjet mbi meridian, çdo të diel, çdo festë.

Gjithmonë bien ato kambana të mallkuara, duke përsëritur një frazë boshe dhe duke mos thënë asgjë! Çfarë mendojnë në të vërtetë ato kambana?!

7️⃣ Kisha Katolike: kur feja bëhet karrierë, e karriera bëhet pushtet e pasuri

~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

Katolicizmi është përpjekja e vazhdueshme e pushtetit për ta verbuar mendjelehtësinë e njerëzve të pafajshëm. Është një metodë e sprovuar dhe e rafinuar, që shkakton humbje të rrezikshme të kujtesës dhe, duke e vënë në gjumë ndjeshmërinë, e shndërron trurin në një përzierje shurdhmemece dhe të hipnotizuar.

Katolicizmi është një mjeshtëri e përsosur dhe e sofistikuar e manipulimit: me marifete ceremoniale, protokollare e burokratike, me ceremoni madhështore, por njëkohësisht edhe me karriera dhe me makeneri të madhe fitimprurëse.

8️⃣ Tirania e klerit katolik dhe batalionet e fretërve djallëzorë
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

Bota është mbytur nga vrazhdësia e vetë njerëzimit. Njerëzimin e zënë për fyti paragjykimet, dogmat skolastike dhe tirania e Kishës; mbi të rëndon ulërima e hordhive, ndërsa parazitët lypës dhe murgjit e manastireve vazhdojnë të ushqehen prej së njëjtës frikë që u kanë mbjellë njerëzve.

Ata janë një rrymë djallëzore që e ka përmbytur botën. Sot, me forcën e ujit të vërshuar që kërcënon gjithçka që quhet qytetërim, ata e bartin politikën papnore.

Batalionet analfabete të fretërve djallëzorë e kanë përzënë Krishtin dhe sot predikojnë me vetëkënaqësi doktrinën e tyre.

9️⃣ Pasurimi i klerit dhe barbaria e predikimit kishtar
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

Flasin për faljen e mëkateve aq pa mend, saqë kjo është bërë e padurueshme edhe për njerëzit më naivë.

Sipas Erasmusit, Luteri, me qëllime të mira dhe në mënyrë naive, guxoi të fliste hapur për disa të vërteta që ishin të njohura për të gjithë. Tani, natyrisht, Kisha ka vënë në lëvizje gjithë mekanizmat e saj për ta shkatërruar, sepse, kur nuk di të përgjigjesh me fjalë e argumente, të mbetet vetëm ta luftosh, ta përndjekësh e ta djegësh kundërshtarin.

Gjithçka që thuhet për mënyrën e predikimit kishtar nuk është tjetër veçse një përpjekje për t’u pasuruar, lajka ndaj interesave boshe, kotësi dhe fantazi e paditur.

Këta barbarë, me zhurmën e tyre të marrë, e shtyjnë Luterin drejt ekstremeve, aq sa edhe ai ka filluar ta humbasë masën e duhur.

🔟 Kisha Katolike, Inkuizicioni dhe ndjekja e kundërshtarëve të papatit
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

Protestantizmi, i lidhur edhe me njerëzit dhe trojet tona, solli vepra të rëndësishme si Historia e Kishës së Krishtit e Flaciusit, shkëputjen dhe përjashtimin e Vergerios, si dhe librin De republica Ecclesiastica të Marko Antonije Gospodnetiqit. Për shkak të këtij libri, autori u përjashtua nga Kisha dhe, pas vdekjes, u dënua simbolikisht duke u djegur në figurë.

Vergerio, i cili kishte qenë i dërguar i papës dhe autor i njohur i pamfletit kundër Luterit, Adversus apostatas Germaniae, më pas u bë vetë një nga predikuesit kryesorë të luteranizmit në trojet tona. Ndërsa Mark Antonije shkroi manifeste kundër papatit dhe, për t’i shpëtuar Inkuizicionit gjykatës kishtare që ndiqte dhe dënonte ata që Kisha i konsideronte heretikë ose kundërshtarë të doktrinës së saj iku në Angli. Flaciusi, ndërkohë, hartoi një vepër të gjerë historike që përfaqësonte një pikëpamje të hapur kundër autoritetit të papës.

Këto nuk mund të quhen “episode të parëndësishme”, as në historinë e trojeve tona, as në përmasat e historisë evropiane.

1️⃣1️⃣ Dominikanët, si urdhër i Kishës Katolike, në përndjekjen e pamëshirshme, masakrat, djegiet dhe shkatërrimin e kundërshtarëve fetarë.
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

Bogomilët në Kroaci dhe në Bosnje u përndoqën pa mëshirë. Ata që shpalleshin heretikë u vranë dhe u shkatërruan në emër të luftës kundër herezisë.

Kundër katarëve(një sekt fetare) në jug të Francës u zhvillua një luftë e përgjakshme fetare. Qytete të tëra u sulmuan, popullsia u masakrua dhe vendbanime të tëra u shkretuan. Jugu i Francës u përmbyt me gjak, ndërsa lufta kundër katarëve mori përmasat e një shfarosjeje të pamëshirshme. Nën udhëheqjen e Shën Dominikut u organizuan forcat kundër albigjezëve(sekt fetare). Pas tyre erdhën zjarri, shpata dhe shkatërrimi.

Por nuk u dogjën vetëm njerëzit.

U dogjën edhe librat e heretikëve. Shkrimet që konsideroheshin të rrezikshme u hodhën në zjarr dhe bashkë me to u përpoq të zhdukej edhe kujtesa e atyre që i kishin shkruar.
———————————————————

Në dritën e këtyre pasazheve të Miroslav Krlezhas, mund të nxirret përfundimi vijues:

Kisha Katolike, në këtë interpretim, nuk synonte vetëm mposhtjen e kundërshtarit, por edhe zhdukjen e gjurmëve të tij nga historia: njeriu të vritej, libri të digjej dhe ajo që shpallej herezi të fshihej nga kujtesa, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.

Burimi: Miroslav Krlezha, libri: “O religiji”, përzgjodhi dhe përgatiti Naim Abdurrahmani.

/fb

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne