Miti për turqit e pamposhtur

“Ballkani perëndimor është hapësirë vakum, i cili nuk mund t’i zgjidhë problemet dhe kundërthëniet dhe, për këtë arsye, ndërmjetësuesi (miqësor) jo vetëm që është i mirëseardhu, por edhe i domosdoshëm.” (Nevenka Jeftić-Šarčević)

Shkruan: Nexhat IBRAHIMI, Prizren

Perandoria Osmane, përkatësisht Perandoria Turke (siç e quan/te) Perëndimi) gjatë disa shekujve të fundit për evropianët, paraqiste jo vetëm obsesion shpirtëror (Bernard Lewis, njëri prej orientalistëve aktual më fanatikë botëror e përdor shprehjen “obsesion” lidhur me preokupimin, angazhimin, marrjen me çështjen “osmane”. (Shih: BernardLewis, Otomanska opsesija, Novi Muallim – časopiszaodgoj i obrazovanje, nr. 9/2002, Sarajevë, fq. 32.), por edhe preokupim të vazhdueshëm diplomatiko-ushtarak, politiko-ekonomik e kulturor-shkencor. Rënia e Konstantinopojës në duar të muslimanëve më 1453, depërtimi i halifatit islam osman në Evropë deri në Vjenë më 1529, shtrirja osmane deri në qendër të Evropës dhe kërcënimi i vazhdueshëm i tyre pati krijuar një imazh për “turqit e pamposhtshëm”. (Fillimisht Evropa kristiane për arsye të konfuzionit doktrinar, pastaj për arsye të mosnjohjes së fesë islame si fe monoteiste dhe synimeve eksploatuese të saj, Islamin – si religjionin rival – më me dëshirë e emërtonte me terma etnikë. (Shih: Në letrat shqipe si shembull do ta përmendim Pjetër Bogdanin, Çeta e profetëve, I, Prishtinë, 1990, fq. 229 e gjatë gjithë librit.)

Për më tepër, evropianët besonin se turqit janë një popull luftarak dhe flamurtar të Islamit dhe nuk mund t’i përfytyronin turqit si zhvillues e kultivues të kulturës, artit, qytetërimit, filozofisë. (Sipas: Ibrahim Kalin, Unë, tjetri dhe përtejHyrje në historinë e marrëdhënieve ndërmjet Islamit dhe Perëndimit, Logos-A, Shkup, 2017, fq. 181.) Kjo ndikoi që evropianët ta kthejnë interesimin kah Lindja muslimane. Lidhur me këtë u organizuan disa luftëra me motive fetare kristiane antimuslimane, siç ishte Beteja e Kosovës më 1389, Beteja e Nikopojës më 1396, marrja e Stambollit më 1453 etj. Të gjitha vendet evropiane kishin frikë se mos vendi i tyre është i radhës. Kjo futi frikë ndër ta e, sidomos, për shkak edhe të propagandës fetare kristiane në mesin e tyre. Madje, intelektuali i njohur italian Nikolla Makiaveli e shkroi një vepër me titull “A do të vijnë turqit vitin tjetër në Itali”? (Adnan Silajdžić, Muslimani u traganju za identitetom, Sarajevë, 2006.)

Turku “i pamposhtur”

Marrja e Rodosit në Mesdhe por edhe e vendeve tjera nga osmanlinjtë, më 1522 nxiti shqetësim të madh në Evropë. Lidhur me këtë ngjarje në Evropë u shkruan 80 libra. Sulltan Sulejman Ligjvënësi i shfrytëzoi përçarjet e brendshme evropiane dhe depërtoi thellë në Evropë, si në Hungari e deri në Vjenë, dhe u bë kërcënim për Evropën. Gjatë shekullit të 16-të imazhi për turqit e pamposhtur rritej në Itali, Austri, Gjermani e vende tjera. Evropianët pësonin humbje ushtarake të njëpasnjëshme.

Kësaj klime të skepsës i ndihmonte vetë priftëria kristiane, e cila pohonte se turqit ishin dërguar si dënim nga Zoti, si “kamxhik” për shkak të largimit të Evropës nga feja kristiane dhe zhvlerësimit të fesë kristiane nga ata. Turqit, për ta, ishin makth nate ose fundi i botës. (Erhan Afyoncu, Evropski strah od Turaka kroz historiju)

Frika nga turqit

Krahas pjesës që ndillte të keqen, kishte edhe intelektualë evropianë që përpiqeshin ta zbusin frikën e popullatës së vet nga frika prej turqve. Ndër ta u dallua Erazmo Roterdamski, i cili jep forcë se turqit nuk janë të pamposhtur: “Madhësia e Perandorisë Osmane nuk do të duhej t’i frikësojë njerëzit. Edhe romakët dhe Aleksandri i Madh qenë të fuqishëm dhe konsideroheshin të pamposhtur. Ndërkaq, sot nuk janë.” (Savash Veliu, Racizmi si gjeneza e evropianizmit, në: http://www.tetovasot.com/2017/04/racizmi-si-gjeneza-e-evropianizmit/)

Makiaveli, në komedinë e vet Mandragola, e kritikoi rreptë bindjen e evropianëve për turqit si qenie të mbinatyrshme, duke folur për ta si për armiq të cilët duhet mposhtur me taktikë të mençur.

Turqit u bënë temë evropiane jo vetëm në politikë, por edhe në art, letërsi, balet, operë, teatër, poezi etj. Intelektualët donin t’i mbanin evropianët vigjilentë karshi rrezikut fetar islam. (Shih një analizë interesante: Ibrahim Kalin, Unë, tjetri dhe përtej, Logos-A, Shkup, 2017.)

Edhe kleriku dhe dijetari anglez Richard Knolles, në vitin 1693, e shkroi veprën e vëllimshme me rreth 600 fletë me titull “Generalle Historie of the Turkes”. Vepra është shkruar në gjuhën angleze kundër Turqisë dhe për përpjekjet evropiane që të ndalet përparimi i tyre. Ndonëse nuk e dinte osmanishten, kleriku anglez kishte lexuar për osmanlinjtë në gjuhën latine, greke, frënge, italiane e, madje, edhe gjermane. (Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Logos-A, Shkup, 2004, fq. 71-72.)

Edhe Shekpsiri, në shkrimet e tij, e paraqet frikën nga turku dhe e cilëson atë si “të paftuar në Evropë dhe si rrezik për kristianizmin”. Vepra “Othello” e Shekspirit flet për “turkun e ligë me turban”, i cili e manifeston idenë e përhapur në Evropë për Islamin dhe muslimanët. (Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, po aty, fq. 77: Krhs: Hišam Džait, Evropa i islam, botimi II i plotësuar, Sarajevë, 1989, fq. 32.)

Por, jo të gjithë evropianët e kishin këtë bindje. Disa popuj e patën përcaktuar fatin e tyre nën osmanlinjtë edhe për shkak të tolerancës fetare, por edhe për shkak të kushteve të rënda ekonomike e sociale nën shtetet e tyre kristiane evropiane. (Erhan Afyoncu, po aty.) Kështu, për shembull, Volteri, armik i përbetuar i fesë islame, thotë: “Modeli islam i rregullimit të jetës, i pranishëm gjatë kohës së osmanlinjve, paraqet shembullin më të mirë të tolerancës ndërfetare dhe të bashkëjetesës në lirinë e plotë të pjesëtarëve të feve të ndryshme dhe popujve….”. (Sipas: Ali Bulaç, Islam i demokratija, teokracija i totalitarizam, Sarajevë-Lubjanë, 1995, fq. 95.) Madje, edhe F. Engelsi pohoi se “pozita e fshatarëve krishterë nën pushtetin osman, në pikëpamje materiale ishte më e mirë se ajo e katundarëve të vendeve të tyre (Evropë) … Derisa tagra i paguhej me rregull, pushteti osman këta nuk i prekte dhe rrallëherë mbi ta ushtrohej dhuna siç vuante fshatarësia e Perëndimit prej feudalëve të vet gjatë tërë mesjetës. Pozita e rajës pa mëdyshje ishte e padrejtë, por jo edhe materialisht e rëndë.” (Sipas: Skender Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, Prishtinë, 1982, fq. 404.)

“Mediatizimi” i rrezikut nga turqit

Lidhur me turqit dhe kërcënimin që vjen prej tyre në Evropë, janë shkruar qindra e mijëra libra. Për pjesën e parë të shekullit të 16-të në Evropë janë publikuar 259 libra e libërtha; disa qindra libra (134) janë shkruar për ekspeditën ushtarake të Sulltan Sulejmanit në Budim; për betejat osmane në Mesdhe janë shkruar 148 libra; për luftërat osmane-evropiane në Mesdhe, Qipro, Lepant e tjera janë shkruar rreth 360 libra. (ErhanAfyoncu, po aty.)

Historiani rumun C. Gollner thotë se gjatë shekullit të 16-të në Evropë janë shkruar 2463 libra e pano të ndryshme kundër osmanlinjve. Librat janë shkruar në gjuhën gjermane, angleze, italiane, spanjolle etj.

Libra të tilla u shkruan edhe në gjuhën shqipe, duke filluar nga shekulli XVI, si ajo e Marin Barletit, Rrethimi i Shkodrës (Venedik 1504), “Historia e Skenderbeut” (1508-1510), ajo e Pjetër Bogdanit, “Çeta e profetëve” (1685 në Padovë) etj.

Veprat kundër fesë islame vazhdojnë të shkruhen deri në ditët e sotme, duke përdorë të gjitha mjetet e mundshme: njerëzit nëpërmjet sistemit shkollor, OJQ-ve dhe institucioneve shkencore dhe teknikën nëpërmjet televizioneve, rrjeteve sociale, sportit e tjera; ose, edhe duke i kombinuar këto metoda, siç ndodh kur figura të larta politike e shkencore ose eksponentë fanatikë të tyre, nëpërmjet televizioneve, propagandojnë kundër Islamit në Turqi ose turqve muslimanë, siç është rasti te ne me Kadarenë, ASHAK-un etj.

“Turku i madh”

Osmanlinjtë, nga evropianët, quheshin turq, ndërsa shteti osman islam quhej Perandoria Turke, kurse sulltani osman quhej Turku i Madh. Emri turk në kokën e evropianit simbolizonte djallin ose dreqin, të pafeun dhe barbarin. Kështu pasqyroheshin ata edhe në lutje, edhe në art, edhe në muzikë, edhe në poezi e prozë. Cilësimet ishin nga më të rëndat, si: të tmerrshëm, të pafe, tradhtarë, frikësues etj. Po këto fjalë do t’i gjeni edhe në librat e autorëve shqiptarë nga Barleti, Bogdani e deri te autorët e shekullit të 20-të e 21.

Edhe aktualisht reagimet evropiane kundër konceptit të sulltanit (Erdoganit?!?) janë nga më të rëndat. Ai, sulltani, shihet me të drejta të pakufizuara, mizor e satrap, por gabohen sepse ai i nënshtrohet ligjit islam si edhe çdo qytetar tjetër. Njohësi i mirë i sistemeve të qeverisjes evropiane, Nikolla Makiaveli, monarkinë e Turqisë e shihte më funksionale sesa sistemet qeverisëse evropiane. Edhe vrojtimet e ambasadorit francez në Stamboll, Choiseul-Gouffier, në tentimin e tij për ta bindur sulltanin për reforma ishin: “Gjerat këtu nuk janë sikur në Francë, ku mbreti është zotëri i vërtetë; këtu duhet bindur ulemanë, juristët, ata që kryejnë detyra të larta dhe ata që më nuk kryejnë detyra të larta.” (Sipas: Bernard Lewis, po aty, fq. 32.)

Neoosmanizmi, kërcënim i ri?

Ideja e neoosmanizmit filloi të përflitet edhe më herët, por u intensifikua në fillim të shekullit XXI, pikërisht me ardhjen në skenën politike më 2002 të Ahmet Davutoglut si këshilltar i kryeministrit Erdogan. Me emërimin e Davutoglut për ministër të Jashtëm të Turqisë më 2009, e pastaj më 2014 edhe për kryeministër, ideja dhe çështja e neoosmanizmit filloi të bëhet temë mjaft e përfolur. Libri i Davutoglut Thellësia strategjike (Stratejik Derinlik, 2001) (Botimi në gjuhën shqipe: Ahmet Davutoglu, Thellësia strategjike, Logos-A, Shkup, 2010.) paraqet edhe artikulimin teorik të neoosmanizmit. Ritmi i politikës së re ishte ikje joformale nga kemalizmi dhe futja e konceptit historik dhe gjeografik, që nënkupton se Turqia në të ardhmen nuk mund të lejojë që – në kontekst të ngjarjeve botërore – të mbetet edhe më tutje në periferi të vendosjes, por duhet ta ruajë ritmin e lëvizjeve botërore, sidomos në vendet ku Turqia ka interesa të veçanta historike, kulturore e religjioze ose gjeostrategjike. Për dallim prej më herët, Turqia do të vazhdojë të integrohet me Evropën, por njëkohësisht do të shtrihet edhe drejt Lindjes.

Termi i neoosmanizmit do të nxiste te shtetet përreth ose më gjerë një dozë frike, një pasiguri, ose një ndjenjë irritimi ndaj tyre, për shkak edhe të zërit imperialist të shprehjes “neoosmanizëm”, por edhe për shkak të politikës makro-ideologjike që nënkupton kjo shprehje. Ekziston bindja se ky term në Evropë, nga politika dhe gazetaria, qëllimisht imponohet në mënyrë të theksuar, në mënyrë që Evropa dhe bota të bëhen kundër ideve të tilla, kinse regresive dhe anakronike, përkatësisht neoosmanizmi tek euro-perëndimorët është vetëm pretekst për ta ulur ndikimin e Turqisë në rajon dhe botë dhe për ta lënë në rolin e konsumuesit të produkteve perëndimore e jo edhe si planifikues, prodhues dhe eksportues. Kjo sidomos vlen për produktet e teknologjisë së lartë, në veçanti për produktet ushtarake. Në këtë aspekt fuqitë botërore harrojnë se Turqia është shtet sovran dhe ka të drejtë të organizohet ashtu si do populli i saj. Edhe shtetet e Evropës, në përgjithësi, edhe ato të Evropës Juglindore, e në veçanti trojet shqiptare, duhet ta shikojnë Turqinë realisht si një faktor gjeopolitik relevant, të bashkëpunohet me të e jo të demonizohet. (Shih: Luka Glušac, Neoosmanizam i Zapadni Balkan, në:  http://balkanskicentarzabliskiistok.com/?en_luka-glusac-neoosmanizam-i-zapadni-balkan,57.) Sepse, siç vëren Nevenka Jeftić-Šarčević, “Ballkani sipas strukturës së vet është terreni më i përshtatshëm në të cilin Turqia mund të ndikojë si ndërmjetës dhe stabilizues i zhvillimit. Ballkani perëndimor është hapësirë vakum, i cili nuk mund t’i zgjidhë problemet dhe kundërthëniet dhe, për këtë arsye, ndërmjetësuesi (miqësor) jo vetëm që është i mirëseardhur por edhe i domosdoshëm.” (Sipas: Jeftić-Šarčević, „Zapadni Balkan u ’Turskoj strateškoj viziji’”, Međunarodni problemi, nr. 4, 2010, fq. 707, sipas: Luka Glušac, po aty.)

Evropa duhet ta hap zemrën dhe shpirtin

Sot jemi dëshmitarë të kohës se ku çon klima e agresivitetit për tjetrin dhe të ndryshmin (Qani Nesimi, Koncepti i “Tjetrit” te osmanët dhe pozicioni i shqiptarëve në të, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=1123.). Evropa dhe Amerika, me vite të tëra në mënyrë të organizuar, shtetërore, sistematike, shkaktojnë dhe zhvillojnë luftëra nëpër vise të ndryshme të botës, viktimë kryesore e të cilave janë popujt muslimanë. Një grusht muslimanësh, të vetorganizuar ose të organizuar nga vetë euro-perëndimorët, mbrohen në mënyrë stihike, barbare, joislame, duke shkaktuar viktima të pafajshme. Faji, në shikim të parë, është i dyanshëm: i Perëndimit për jodemokracinë dhe përbuzjen e manifestuar ndaj muslimanëve dhe, së dyti, i muslimanëve për frikën dhe reagimin (hakmarrjen) joproporcionale ndaj perëndimorëve.

Në anën tjetër, Turqia përfundimisht po çlirohet nga kompleksi evropian dhe perëndimor. Ajo më nuk çanë kokë se ç’mendon Evropa për Turqinë, ndërsa në anën tjetër Evropa ende nuk po arrin të çlirohet nga frika prej Turqisë (Halifatit Islam Osman). Turqia shumë kohë u mundua ta bindë Evropën për orientimin e saj perëndimor, madje në dëm të kulturës dhe qytetërimit islam, andaj Evropa nuk ka të drejtë ta akuzojë Turqinë ose Erdoganin për këto lëvizje, sepse vetë ajo nuk gjeti forcë ta ndryshojë politikën e vet përjashtuese ndaj shteteve të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe politikanëve të zgjedhur në mënyrë demokratike. Duke mos e kuptuar ose duke mos dashur ta kuptojnë realitetin, Evropa po e humb Turqinë, ndërsa Turqia nuk po e humb Evropën, sepse atë as nuk e kishte kurrë. Shih: Mustafa Cerić, Šta nam znači turski referendum, në: http://sbk.eu.com/izdvojeno/sta-nam-znaci-turski-referendum/?utm_source=dlvr.it&utm_medium=facebook.)

Është mendim i njerëzve neutralë se një mirëkuptim më i madh do të sillte mirëkuptim dhe integrim, kurse integrimi aq i përfolur në Evropë, ndërsa lufta kundër terrorizmit global do të paraqiste një “dritare” drejt proceseve integruese dhe drejt paqes botërore, si dhe njëherazi do të paraqiste një çikëz shprese, e cila mbetet të pritet./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne