Mjekët protestë në QSUT: Këto janë kërkesat tona

Ndërsa përfaqësia me katër mjekë, po zhvillon një takim në Kryeministri me ministren Manastirliu dhe drejtorin e QSUT Enkelejd Joti, mjekët, infermierët dhe personeli shëndetësor, janë mbledhur në oborrin e QSUT në formë proteste.

Mjekët kanë njoftuar se protesta do të vijojë për rreth një orë.

Personeli shëndetësor nuk është lejuar nga policia për të zhvilluar protestën, e cila u kërkua të mbahej sot në sheshin para spitalit nr. 1 pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” por gjithsesi ata janë mbledhur për të thënë fjalën e tyre dhe theksuar kërkesat të cilat ja kanë drejtuar edhe qeverisë.

Mjekët kërkojnë që ata të cilët humbin jetën në krye të detyrës të shpallen dëshmorë të kombit, rritje të pagave, sigurimin e jetës së personelit shëndetësor dhe tu sigurohen të gjitha kushtet në punë.

Kërkesat e mjekëve:

Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm.

Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.

Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.

Personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sipas mjekut infeksionist Gent Stroni, pas njoftimit të mjekeve për mbajtjen e protestës, ata u thirren për tu dëgjuar nga Kryeministria./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne