Radio-Televizioni i Republikës Islamike të Iranit (IRIB), së fundmi, duke cituar burime të informuara, zbuloi fitoren më të madhe të shërbimeve të inteligjencës së Iranit në betejën kundër shërbimeve spiune të regjimit pushtues të Kudsit.
Bazuar në informacionin e publikuar në media, agjencitë iraniane të inteligjencës, në një operacion kompleks “në terren” dhe “kibernetik”, arritën të nxirrnin nga territoret e pushtuara dhe të futnin në Iran një vëllim të konsiderueshëm dokumentesh strategjike izraelite, veçanërisht programin bërthamor të atij regjimi, dhe t’i vendosnin ato në një vend të sigurt për t’i studiuar e shqyrtuar.
Sipas agjencisë së lajmeve Mehr, konsideratat e sigurisë në lidhje me transferimin e këtyre dokumenteve në Iran dhe vëllimin i tyre të madh bënë që Teherani të përmbahej nga publikimi i këtij suksesi strategjik më herët dhe ta zbulonte këtë arritje në kohën e tashme.
Sipas raportit të llogarive të sigurisë izraelite, me sa duket, dokumentet në fjalë janë nxjerrë nga Ministria e Sigurisë Kombëtare, nga serverat që lidhen me programin bërthamor dhe nga disa dokumente të gjetura në “HaKirya” dhe janë transferuar në Iran.
Shtrirja e kësaj fitoreje të madhe në mejdanin e “betejës së hijeve” është aq e thellë dhe e gjerë sa disa analistë po flasin për mundësinë e një tërmeti në aparatin izraelit të sigurisë dhe shkarkimin e krerëve të Shinbet-Mossad dhe, madje, edhe gjykimin e tyre. Ndoshta kjo është arsyeja pse Seyyed Ismail Khatib, Ministri i Inteligjencës i Republikës Islamike të Iranit, u është referuar këtyre dokumenteve si “thesari i të dhënave strategjike të regjimit sionist”!
Zhvendosja e ekuilibrit në zonën gri
Gjatë fushatës së “Luftës së Hijeve” midis Iranit dhe regjimit sionist, analistët e përcaktonin pikën e forcës së Iranit si mbështetja në rrjetin e Boshtit të Rezistencës dhe në betejën asimetrike me regjimin sionist bazuar në strategjinë e “Unazës së Zjarrit”. Nga ana tjetër, regjimi sionist, që nga fundi i shekullit XX, duke nisur një fushatë vrasjesh, sabotimesh, krijimi dosjesh dhe vjedhjes së dokumenteve iraniane është përpjekur të krijojë një lloj ekuilibri në këtë betejë rraskapitëse, dhe ndonjëherë, ta ndryshojë ekuacionin në favor të tij.
Kulmi i këtyre konflikteve mund të shihet në “sekuritizimin (konsiderimin ‘problem sigurie’) e çështjes bërthamore paqësore të Iranit” nga njëra anë, dhe në Operacionin “Stuhia Al-Aksa” dhe ndryshimin gjeopolitik të rajonit arab lindor nga ana tjetër. Në rrethana të tilla, institutet e mendimit (think-tanket) të krahut të djathtë dhe mediat e lidhura me lëvizjen luftënxitëse në Uashington-Tel Aviv pretenduan se Irani do të përdorte kartën e “parandalimit bërthamor” në epokën e re dhe se nuk kishte letra të tjera loje për të ringjallur ekuilibrin kundër Izraelit! Megjithatë, koha vërtetoi të kundërtën e këtij pretendimi.
Arritjet e fundit në fushën e inteligjencës në këtë betejë komplekse dhe të kombinuar kanë ndryshuar edhe një herë ekuilibrin e pushtetit midis Iranit dhe regjimit sionist. Ndërsa Teherani vazhdon të forcojë aleatët e tij në kufijtë e Libanit, Bregut Perëndimor dhe Gazës për të zmbrapsur Izraelin, shërbimet iraniane të inteligjencës mundën të hapnin një front të ri kundër pushtuesve të Kudsit duke demonstruar aftësitë e veta operacionale në thellësi të territoreve të pushtuara.
Mesazhi i operacionit të fundit të Iranit është se nëse Teherani vendos të shënjestrojë personalitete të shquara ose një objektiv jetik në Izrael, e vetmja sfidë e mbetur është zgjedhja e “kohës” dhe “vendit” të duhur! Me fjalë të tjera, pas operacionit të fundit, asnjë qëllim strategjik në Palestinën e pushtuar nuk është i paarritshëm apo i pamundur. Duke marrë parasysh saktësinë e këtyre supozimeve, ekuacioni i fuqisë midis Teheranit dhe Tel Avivit ka ndryshuar, dhe sot Irani ka mundësi të reja për të goditur regjimin sionist.
Tërmet në HaKirya
Zona HaKirya, që në hebraisht do të thotë “zonë, kampus”, ndodhet në zemër të Tel Avivit dhe njihet si qendra kryesore e institucioneve të sigurisë dhe atyre ushtarake të regjimit sionist. Kjo zonë, e quajtur shpesh “Zona e Gjelbër” e këtij regjimi, strehon institucione kyçe si Ministria e Luftës, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe disa zyra të Inteligjencës. HaKirya ka rëndësi të lartë strategjike për shkak të përqendrimit të strukturave të pushtetit dhe rolit të saj kyç në vendimmarrjen politike dhe ushtarake.
Ky rajon nuk është thjesht një simbol i fuqisë ushtarake dhe politike të regjimit sionist, por shërben edhe si një qendër për koordinimin e strategjive rajonale të këtij regjimi. Analizimi i strukturës dhe funksioneve të HaKirya-së është thelbësor për një kuptim më të mirë të natyrës së regjimit sionist dhe politikave të tij në rajon, veçanërisht për vendet si Irani që e konsiderojnë këtë regjim një kërcënim të vazhdueshëm.
Vendndodhja gjeografike dhe përqendrimi i institucioneve të ndjeshme në këtë rajon e kanë bërë atë një objektiv strategjik në analizat politike dhe ushtarake. Një kuptim i hollësishëm i HaKirya-së dhe rolit të saj në ekuacionet rajonale mund të kontribuojë në një kuptim më të thellë të strategjive të këtij regjimi dhe ndikimeve të tyre në stabilitetin rajonal.
“Mohimi”, “tallja”, “dyshimi” dhe “heshtja” janë reagimet e para të regjistruara nga zyrtarët qeveritarë, mediat dhe figurat e sigurisë të pranishme në institucionet e mendimit dhe në mjedisin mediatik izraelit. Ndoshta besimi i transferimit në Iran të dokumenteve më jetike të regjimit sionist mund të duket i palogjikshëm edhe për analistin më pesimist sionist. Gjatë tetë dekadave të fundit, shërbimet e inteligjencës izraelite kanë qenë në gjendje të kontribuojnë ndjeshëm në mbijetesën e regjimit sionist duke kryer operacione të shumta vrasjesh, infiltrimi, sabotimi ose vjedhjeje.
Që nga ditët e para të emigracionit të paligjshëm të grupeve hebreje nga e gjithë bota në tokën e Palestinës deri në përfundimin e Marrëveshjes së Abrahamit midis Izraelit dhe vendeve konservatore sunite, shërbimi i inteligjencës izraelite ka arritur të luajë një rol efektiv dhe efikas dhe t’u japë goditje serioze armiqve dhe rivalëve të regjimit. Për shembull, veprimet terroriste të Mossad-it kundër shkencëtarëve të rajonit arab i penguan vende si Iraku dhe Siria të ndiqnin një rrugë të qetë drejt zhvillimit të programeve të tyre bërthamore.
Tani, në mes të fushatës “Stuhia Al-Aksa”, forcat iraniane të sigurisë, nëpërmjet një operacioni shumëdimensional, kompleks dhe unik, kanë mundur të depërtojnë thellë në aparatin ushtarak dhe atë të sigurisë të Izraelit dhe duke shtënë në dorë dokumente jetike dhe transferuar ato në një vend të sigurt, por të panjohur, ata kanë përmbysur hegjemoninë e inteligjencës së regjimit sionist. Ekspertët besojnë se nëse Irani publikon gradualisht në javët e ardhshme dokumente jetike izraelite në fushën e sigurisë dhe atë ushtarake, do të rritet mundësia e një konsensusi global dhe e një kaosi të brendshëm në territoret e pushtuara.
Prandaj, shkarkimi ose dorëheqja e figurave kyçe si David Barnea nga pozicioni i drejtorit të Mossad-it nuk duhet të jetë gjë e papritur. Duke e kohëmatur këtë zbulim historik, Teherani mund të rrisë nivelin e presionit politik-siguror mbi trojkën evropiane dhe amerikanët, të cilët, me ndihmën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, po kërkojnë të aktivizojnë mekanizmin e këmbëzës kundër Iranit.
Më herët, historianët dhe analistët e sigurisë e kishin regjistruar zbulimin e programit bërthamor të Demona-s nga Mordechai Vanunu si dështimin më të madh të shërbimeve të inteligjencës izraelite në historinë e këtij regjimi, por sot mund të flasim për një dështim edhe më të madh. Pas 20 muajsh nga beteja “Stuhia Al-Aksa” dhe mbështetjes së dukshme të qeverisë sioniste në aftësinë e shërbimeve të sigurisë izraelite për të kryer sulme taktike ndaj strukturës komanduese dhe aftësieve ushtarake të Rezistencës, shërbimet iraniane të inteligjencës vendosën nëpërmjet një projekti të përbashkët të krijonin një lloj ekuilibri sigurie kundër Mossad-it, Shin Bet-it dhe Aman-it duke depërtuar thellë në qendrat e ndjeshme të regjimit sionist përmes infiltrimit njerëzor dhe kibernetik.
Tani, me qasje në të paktën 7 gigabajt dokumente të ndjeshme që lidhen me objektet jetike (bërthamore) të Izraelit, Teherani ka mundësinë të bëjë një vlerësim më të saktë të vendndodhjes së tyre, fuqisë së objekteve dhe përshtatjes së aftësive ofensive të Iranit për të sulmuar objektiva jetësore në territoret e pushtuara. Arritja e një suksesi kaq të madh në betejën e inteligjencës me regjimin sionist jo vetëm që do të ndryshojë ekuacionet në procesin e luftës rraskapitëse midis Teheranit dhe Tel Avivit, por gjithashtu do të forcojë pozicionin e sigurisë së Iranit dhe Boshtit të Rezistencës në rajonin e Azisë Perëndimore./parstoday