Tetë muaj nga ngjarja e rëndë ku 14 vjeçari Martin Cani u qëllua për vdekje me thikë nga bashkëmoshatarët e tij, janë publikuar pamjet e krimit të rëndë. Ngjarja ndodhi mesditën e 18 nëntorit të vitit të kaluar, pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku një konfortim fizik mes disa të rinjve përfundoi në një tragjedi.
14-vjeçari, Martin Cani, u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshtari i tij Mario Përlleshaj, ndërkohë që nuk mundi t’i mbijetonte plagës së marrë.
Në një kohë kur kalvari i vuajtjteve është duke vijuar për familjarët e Martinit në sallat e gjyqit, ku dhe po kërkojnë me zë të lartë drejtësi për birin e tyre, gazetari Eraldo Harilcaj ka publikuar për herë të parë pamjet nga dita e ngjarjes.
Në video shihen dy të rinjtë, Martin Cani dhe Mario Përlleshaj teksa ecin të dy krah njëri-tjetrit, ndërkohë që mbrapa po i ndjekin shokët, mes tyre edhe Luis Meçaj, miku i 14-vjeçarit i cili po ashtu mbeti i plagosur në këtë ngjarje.
Të rinjtë u futën në një rrugë e cila nuk është e monitoruar nga kamerat, ndërkohë që pas disa minuta ata shihen duke vrapuar.
Fillimisht janë shokët e tyre të cilët vrapojnë, ndërkohë që pas tyre është dhe Martini i cili mban me duar plagën në zemër. Siç evidentohet dhe në pamje, pas Martinit është duke vrapuar edhe Mario Përllashaj, teksa në duar mban thikën.
Postimi i gazetarit Eraldo Harlicaj:
Pikëpyetjet e çështjes së Martin Canit, video e ditës së ngjarjes
Në momentin që më ra në duar, këtu e një muaj më parë, dosja e Martin Canit me materialet e plota filmike, kisha shumë mëdyshje për publikimin e tyre. Zgjedhjet e 11 majit ma larguan nga mendimet për pak kohë. Kisha dhe kam pikëpyetje nëse po veproj mirë, apo gabim.
Megjithatë, janë disa paqartësi që më “shtyjnë” të publikoj materialet. Veprimet nga ana e Prokurororisë së Tiranës duke dërguar çështjen për gjykim pa një hetim të thelluar, por dhe deklarimet e fëmijëve në seancat me dyer të mbyllura.
Në video, shihen qartë Martini dhe Mario që u prijnë shokëve dhe shkojnë për t’u “sqaruar” te vendi i ngjarjes. Të ndjekur nga miqtë e tyre të identifikuar. Në momentin e bisedës mes tyre, referuar dhe deklarimeve në gjyq, ka qenë një nga djemtë e tjerë, jo Martini, që ka goditur i pari Marion në hundë. Më pas sherri ka agravuar, duke i marrë jetën Martinit dhe duke plagosur Luisin. Tragjedia ka ndodhur në më pak se 1 minutë.
Në pamjet filmike, duke ikur, shihet vetëm një thikë në dorën e Marios dhe Martini që vrapon duke mbajtur dorën në kraharor. Mario më pas kthehet te vendi i krimit, pasi i ka rënë këpuca dhe shkon ta rimarrë, pritet nga dy djem të tjerë që ndodhen aty.
Luisi, shoku i plagosur i Martinit, në seancën gjyqësore u ka treguar gjyqtarëve, por dhe prokurores Alma Felaj, plagët e tij. Ai i qëndron idesë se kanë qenë dy persona që kanë goditur me thikë, duke kërkuar rihetim.
Po ashtu, avokati i Marios, autorit të dyshuar, ka mbështetur deklaratën e Luisit, duke ngritur alibinë se nuk ka qenë ai personi që ka qëlluar Martinin. Ai pranon se ka përdorur thikën, por ka plagosur Luisin. Pra, Luisi dhe Mario, pretendojnë se ka qëlluar me thikë dhe një person i tretë. Pala e Marios pretendon se nuk është ai vrasësi.
Kush është personi i tretë që po mbahet i fshehur nga të gjithë? A ekziston vërtet një person i tretë që ka goditur? Si ka mundësi që dëshmitarët kanë ndryshuar deklarimet në gjyq ndryshe nga përgjigjet që i kanë dhënë prokurores dhe pasi janë rimarrë disa herë në pyetje nga ana e Alma Felajt? Kush është i rrituri që ka goditur me shpullë Martinin ditën e premte, në sherrin që ka pasur me Marion? Kush janë djemtë që kanë pritur Marion dhe shoku që e shoqëroi në spitalin privat, ku shihet me plagë në dorë.
Gjyqtarja Marinela Osmani vendosi rihetimin e ngjarjes, pas dokumentimeve të paplota nga Prokuroria. Deklaratat e dëshmitarëve i gjeti shumë të rëndësishme për zbardhjen e së vërtetës.
Mario ende nuk ka dëshmuar. Ditën e mërkurë është seanca e radhës, ku është thirrur përpara gjykatës personi i rritur që ka goditur Martinin ditën e premte me shpullë./syri