“Muri i kuq” simbolik rreth parlamentit britanik: “Qeveria të ndalojë armatosjen e Izraelit”

Mijëra demonstrues u mblodhën sot jashtë parlamentit në Londër për të kërkuar që qeveria të ndalojë armatosjen e Izraelit dhe të sanksionojë Tel Avivin, si pjesë e një veprimi të ri të quajtur “Vija e Kuqe për Palestinën”. Disa deputetë dhe personazhe të famshme iu bashkuan “Vijës së Kuqe për Palestinën” rreth ndërtesës kur seanca javore e Pyetjeve për Kryeministrin (PMQs) ishte duke u zhvilluar në Dhomën e Ulët.

Protestuesit brohoritën: “Ndaloni armatosjen e Izraelit” dhe “Embargo e plotë tani”, ndërsa kritikat ndërkombëtare po shtohen në lidhje me ofensivën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës dhe kufizimet e ndihmës humanitare për palestinezët. Gjithashtu, një banderolë e madhe që shkruante “Vdekja e fëmijëve të uritur është vijë e kuqe” u mbajt nga protestuesit pranë parlamentit. Aktori britanik Khalid Abdalla tha “qeveria është bashkëpunëtore në këtë gjenocid”.

John McDonnell, deputet britanik, e quajti demonstratën si “thelbësisht të rëndësishme”, duke thënë se mijëra njerëz morën pjesë në protestë për të kërkuar që qeveria të dënojë gjenocidin në Gaza. Ben Jamal, drejtor i Fushatës së Solidaritetit me Palestinën (PSC), një nga organizatorët e tubimit, tha se grupi po formon një mur të kuq simbolik rreth parlamentit për të kërkuar që “qeveria jonë të sanksionojë Izraelin për krimet e tij kundër popullit palestinez”.

Sot në mëngjes, kryeministri Keir Starmer e etiketoi ofensivën izraelite si “të tmerrshme, kundërproduktive dhe të patolerueshme”. Një sondazh zbuloi sot se shumica dërrmuese e publikut britanik mbështet një embargo të plotë armësh dhe sanksione kundër Izraelit.Të paktën 54.607 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit që nga tetori 2023, tha sot Ministria palestineze e Shëndetësisë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne