Tashmë është konfirmuar se ka pasur një viktimë gjatë përplasjes së sotme mes opozitës iraniane dhe policisë.
Kjo është foto e muxhahedinit të vdekur si pasojë e gazit lotsjellës, i cili është identifikuar si Ali Mostashari, rreth 70 vjeç.
Pas pothuajse 4 orësh përplasje me policinë, iranianët kanë mbyllur protestën, e gjithë rrëmuja u shkaktua pas një urdhër të SPAK për të zbarkuar në kampin e MEK në Manzë.
Me foton e të ndjerit në duar kanë dalë në kangjellat e derës së rrethimit të kampit të MEK në Manëz, ndërsa premtojnë se do të kërkojnë drejtësi për zhvillimet e paradites së sotme.
Iranianët kishin qendra me servera që i përdornin për të hackeruar institucionet e shteteve të huaja. Nga ana tjetër ata pretendojnë se policia shqiptare i ka cenuar, por duhet theksuar se procesi është tërësisht legjitim pasi është me urdhër të SPAK.
Urdhri i kontrolleve është në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.
Shumë nga banorët e kampit, ku strehohet opozita iraniane janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje dhe janë kthyer sërish.
Aktualisht, rreth 3,000 anëtarë të MEK, e cilësuar si opozita iraniane në mërgim vlerësohet të jetojnë në Kampin Ashraf-3. Për herë të parë, muxhahedinët nisën të vijnë në Shqipëri në 2013-tën pas një marrëveshjeje me qeverinë e atëhershme shqiptare, të drejtuar nga Sali Berisha. Kujtojmë se gjatë vitit që lamë pas shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht për shkak të sulmit kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga Irani./TPZ