Pandeli Majko, një prej figurave më të njohura të Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër i Shqipërisë, nuk ka arritur të sigurojë një vend në Kuvendin e ri, duke shënuar kështu fundin e një kapitulli politik prej më shumë se 30 vitesh.
I renditur në listën e hapur të PS-së për qarkun e Tiranës, Majko ka arritur të grumbullojë 4340 vota preferenciale, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të kaluar pragun e nevojshëm për të hyrë në Parlament. Aktualisht ai renditet i 15-ti në listë, teksa pritet ende numërimi i votave nga diaspora greke, të cilat vështirë se do të ndryshojnë rezultatin për të.
Në një reagim të shkurtër në rrjetin social Facebook, Majko ka zgjedhur të mos komentojë gjatë. Ai ka postuar vetëm një fjalë: “FALEMINDERIT”, një mesazh simbolik që reflekton qetësinë dhe mirënjohjen e tij për mbështetësit ndër vite.
Përveç karrierës së gjatë politike si deputet, ministër dhe ish-kryeministër, Pandeli Majko është dalluar ndër vite edhe për qëndrimet e tij të forta dhe shpesh të debatueshme në politikën e jashtme. Një prej çështjeve më të përfolura ka qenë mbështetja e tij e hapur për grupimin muxhahedin të njohur si MEK (Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit), të strehuar në Shqipëri, që ka shkaktuar reagime të ashpra nga Republika Islamike e Iranit dhe debat në opinionin publik shqiptar.
Largimi i tij nga Parlamenti përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme të këtyre zgjedhjeve për Partinë Socialiste, duke shënuar një ndërrim epokash brenda formacionit politik që ai ka përfaqësuar për dekada./gazetaimpakt