Muze për Holokaustin, por ende jo për Komunizmin

Edi Rama, publikoi në faqen e vet në Facebook një video nga takimi i zhvilluar në SHBA me kreun e Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer. Në atë takim z. Rama iua akordua edhe çmimi për “Për Pluralizmin Kulturor” dhe u dorëzua nga vetë Packer që është i emëryuar nga presidenti amerikan, Trump për këto çështje.

Në motivacionin e këtij çmimi, z. Rama i njihen kontribute të veçanta për kauzën e Holokaustit, por për ata shqiptarë që ndjekin politikën, nuk ka asgjë të vërtetë që mund të rroket në këtë mesazh. Për z. Rama ka pëshpëshe mediash se ka lidhje me hebrejtë, por më shumë sesa një teori kafenesh kjo nuk ka shkuar.

Ndoshta e vërteta e këtij kontributi mund të kuptohet në fjalët e Packer që përmend përpara se të dorëzojë çmimin hapjen e një muzeu të Holokaustit në Shqipëri. Me gjasë në Tiranë. Bashkë me arkitekturën laramane dhe bustet e njëpasnjëshëm që popullojnë bulevardin qendror, ky muze i shtohet eventualisht Tiranë si një kërpudhë e re të shijeve politike të ditës së atyre që qeverisin.

Ka vërtetësi ky lajm kur pak kohë më parë, kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, një tjetër i përkëdhelur i teorive me hebrenj në politikën shqiptare, deklaroi se Teatri i Kukullave do të kthehet në Qendër Hebraike.

Nuk është çudi që nisma për hapjen e një muzeu të jetë në këtë rast ai “kontribut i veçantë i z. Rama”, i cili përndryshe është krejtësisht I paqenë. E njëjta situatë habitore u krijua me dekoratën e Kalorësit të Legjionit të Nderit, akorduar nga ish-presidenti socialist i Francës, Holande, por që të paktën gjeti shpjegim logjik te “kontributi i z. Rama në afrimin me Serbinë”.

Çmimet nuk janë vetëm çështje e meritës. Ato kanë patjetër koninkturën e tyre politike, çka ua ul dhe zhbën aureolën që mëton të mpijë arsyen me erma tingëllues dhe pompozë. Me contribute të paqena dhe me ceremoni butaforike.

Në rastin konkret, një Muze i Holokaustit në një qytet si Tirana do të ishte nga ato çudi, trille apo teka pushteti që dikur mund të kthehen në ofendim publik për brezat që do të vijnë. Edhe memoria e një qyteti apo shoqërie ka hierarkinë e vet. Shqipëria nuk ka ende një Muze të Komunizmit, ndërkohë që z. Rama na shet Bunk’arte e miqve apo muze gjethesh, si stenda argëtimi dhe destinacione tërheqëse.

Muzeu ka tjetër synim, atij nuk mund t’ja heqësh aspektin edukativ. Le të kujtojmë këtu se një muze për Komunizmin, apo Ateizmin siç premtoi dikur z. Rama, doktrinë zyrtare që është pjesë e historisë së komunizmit shqiptar, nuk mund të përçojë dëshmi reale vetëm përmes galerisë së aparatit represiv. Historia e komunizmit nuk është një histori policoore, siç po do të na gënjejë zotëria. E përpara se në Tiranën me shumicë myslimane të vijë një muze I tillë për Holokaustin, do të ishte mirë që disa tulla të ishin vënë për të tjera gjëra.

Sigurisht që nëse paratë do të jepen nga hebrejtë dhe nuk do të jenë lodra të studiove dhe imagjinatës “urbanistike” të kryeministrit, muzeu mund të jetë diçka shumë serioze në një qytet ku edhe Papa që është gjallë ka një bust pse shkeli njëherë në këtë vend.

Është shumë befasues po ashtu edhe klima e kompromisit që frymëzon pushteti I Tiranës edhe ndaj komuniteteve fetare, apo shoqërisë që rri indeiferente ndaj dorovitjeve të këtilla që janë asgjë më shumë se trofe kalimtare të një njeriu. Mund të merret me mend se një Muze për Holokaustin në një vend me shumicë myslimane do të ishte element i mirë marketingu, sikundër pë rata që duan të kuptojnë, është një mundësi shumë e mirë për të kuptuar edhe se çfarë qëndron pas çmimeve që flasin për kontribute fantazmagorike.

Mjafton vetëm një shifër: në botë ka 115 muze për Holokaustin, nga të cilët 36 janë vetëm në SHBA dhe Shqipëria është i vetmi vend me shumicë myslimane që premton të ndërtojë një të tillë. Ndonëse historia e hebrejve në Shqipëri, që çmohet për përvojën e LIIB, është shumë më modeste, shumë më periferike se ajo e komuniteteve hebraike edhe në vendet fqinje.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne