Ndarja e fondeve për bashkitë/ 365 mln dollarë transfertë në 2024, parashikohet edhe rritja e pagave

Bashkitë do të marrin nga buxheti i shtetit gjatë viti 2024 në formën e transfertës së pakushtëzuar afro 360 milionë dollarë, me një shtesë prej 49 milionë dollarësh krahasuar me këtë vit. Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin e ardhshëm, që rezulton nga përcaktimi ligjor i madhësisë minimale prej 1% të PBB-së ose prej 24,343 miliard lekë, do të shtohet fondi prej 1,500 miliard lekë për kompensimin e pagave dhe fondet prej 10,740 miliard lekë, për financimin e funksioneve të reja të cilat për periudhën 2016-2018, janë financuar nëpërmjet transfertave specifike. Në total, për vitin 2024, transferta e pakushtëzuar do të jetë 36,583 miliard lekë.

Formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar përcaktohet në ligjin “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore, sipas së cilës identifikon nevojat për shpenzime të bashkive duke u bazuar tek popullsia relative, dendësia e popullsisë (që reflekton diferencat në koston e ushtrimit të funksioneve ndërmjet bashkive) dhe tek numri faktik i fëmijëve në kopshte dhe nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në çdo bashki. Përveç ekualizimit të kostove të shërbimeve që bëhet nëpërmjet komponentit të dendësisë, formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar sjell edhe ekualizimin e kapacitetit fiskal, i cili bazohet në të ardhurat faktike nga tatimi mbi të ardhurat personale, nga taksa vjetore e automjeteve të përdorura dhe taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë  për pasuritë e paluajtshme.

Por cilat janë bashkitë që përfitojnë më shumë fonde nga transferta e pakushtëzuar dhe ato që përfitojnë më pak? Referuar projektbuxhetit,  Tirana, si bashkia me numrin më të lartë të popullsisë do të marrë dhe fondin më të lartë prej rreth 5.2 miliardë lekësh për vitin 2024, ndjekur nga Bashka Durrës me afro 2 miliardë lekë, më pas renditet bashkia Elbasan, e cila përfiton 1.5 miliardë lekë,  Bashkia Shkodër 1.4 miliardë lekë, rreth 1.3 miliardë lekë do të shkojnë për Bashkinë Vlorë, 1.1  miliardë lekë për Kamzën dhe 1 miliardë lekë për bashkinë Korçe.

Ndërsa të gjitha njësitë e tjera të vetëqeverisjes vendore përfitojnë një nivel fondesh nën nivelin 1 miliardë lekë. Ndër bashkitë që përfitojnë më pak, janë njësitë e vogla, si Finiq, Fushë-Arrëz, Klos, Kolonjë, Këlcyrë, Përmet, Roskovec, Poliçan, dhe listën e mbyll Pusteci me vetëm 89 milionë lekë fonde./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne