Ndotje me liçensë qeveritare “1 euro” në Porto Romano, historia e dyshimtë e “Alba Cosmetic” të Adi Mehmetit

Pak javë pasi Partia Socialiste e Edi Ramës fitoi mandatin e tretë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ministrja e Financave dhe e Ekonomisë e asaj kohe, Anila Denaj, zhvilloi një takim-vizitë në ambientet e kompanisë private “Alba Cosmetic International”, me seli në zonën e Porto Romanos, në Durrës.

Si rrallë herë, një ministre kabineti nuk u ndje aspak e kufizuar që të bënte një reklamë të hapur ndaj një biznesi privat.

“Në kompaninë Alba Cosmetic International, që operon në sektorin e gazit të lëvizshëm, prej 7 vitesh. E regjistruar si markë në 2014, me një gamë të gjerë produktesh, me potencialin për të përfituar statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, kompania ka plane ambicioz”, shkruante Denaj në profilin e saj në rrjete sociale.

Në foto: Në vitin 2021, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së kohës, reklamoi biznesin e “Alba Cosmetics International”

Kompania e krijuar në vitin 2014 nga Adi Mehmeti, vetëm 21 vjeçar në kohën e regjistrimit, në fakt kishte vetëm pak muaj që ishte përfshirë në sektorin e gazit të lëngzhëm, kur u vizitua nga ministrja Denaj.

E krijuar si një kompani për prodhim produktesh kozmetike, “Alba Cosmetic” vetëm në janar të vitit 2021 e kishte zgjeruar disi aktivitetin e saj në prodhimin e bombulave të vogla të gazit.

Por, në periudhën që pasoi vizitën propagandistike të Anila Denajt, shoqëria e Adi Mehmetit mori një zgjerim shumë të madh, duke u përfshirë në tregun e gjerë të hidrokarbureve.

Krahas zgjerimit të aktivitetit tregtar, “Alba Cosmetic International” shtoi ndjeshëm edhe ndotjen në mjedisin përreth. Në të paktën dy raste, banorët e Porto Romanos kanë dalë në protestë kundër mbetjeve të rrezikshme, të lëshuara në ajër dhe në tokat përreth nga kompania e Adi Mehmetit.

Megjithatë, pavarësisht shqetësimit gjithnjë e në rritje të qytetarëve, kompania vijon aktivitetin e pashqetësuar nga autoritetet shtetërore.

Historia e “Alba Cosmetic International” ka disa dritë-hije të çuditshme, që nisin nga përfshirja e një 21-vjeçari në mënyrë të menjëhershme në një biznes të madh, një kontratë “1 euro” me qeverinë e Edi Ramës në vitin 2018 për qiranë e mijëra metrave katrorë në Porto Romano, e deri tek një kombinim i çuditshëm me një tjetër shoqëri, “Gazpower  AL”, e cila rezulton si subjekt më vete, por që ushtron aktivitetin në të njëjtin vend dhe personat përgjegjës janë të njëjtët në të dyja kompanitë.

“Parfumet” e 21-vjeçarit Mehmeti

Në tetor të vitit 2014, Adi Mehmeti, i lindur në Delvinë në vitin 1993 dhe banues në Tiranë, vendos të themelojë një kompani në Porto Romano të Durrësit, me fokus prodhimin e parfumeve dhe materialeve të tjera për estetikën.

Bilancet tregtare të dorëzuara nga kompania në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) përbëjnë një rast tipik “studimor” për tregun shqiptar. Në vitin e parë, “Alba Cosmetics International” raporton një fitim rreth 1 mijë euro. Në vitin 2016, fitoi 10-fishohet, në 100 mijë euro. Një vit më pas, në 2016, sërish ka një 10-fishim tjetër, duke arritur fitimin 1 milionë euro.

Në vitin 2017, Adi Mehmeti, tashmë 23-vjeçar, siguron një kontratë me çmim simbolik “1 euro” me qeverinë e Edi Ramës, për të marrë në përdorim disa ambiente pranë ish-Ndërmarrjes Kimike të Porto Romanos.

Në foto: Kontrata “1 euro” e miratuar nga kryeministri Edi Rama për “Alba Cosmetic International”

Në kontratën e konsultuar nga “Boldnews.al”, të miratuar nga Këshilli i Ministrave në 15 nëntor 2017, subjekti privat merrte me qira një ndërtesë 2-katëshe, me sipërfaqe 600 m2, si edhe sipërfaqe funksionale 1650 m2.

Në janar të vitit 2021, “Alba Cosmetic International” modifikon objektin e veprimtarisë, duke shtuar, krahas materialeve kozmetike, edhe mbushjen e bombolave të vogla të gazit.

“Miksimi” me “Gazpower AL”

Kompania e Adi Mehmetit ka regjistruar adresë zyrtare “Porto Romano, Rruga Velipoja, ish ndërmarrja shtetërore kimike, zona kadastrale 8517, nr. pasurie 27/60”.

Saktësisht, në të njëjtën adresë, gjendet edhe një tjetër shoqëri, “Gazpower AL”, e krijuar në shkurt 2012 nga Altin Mulla, i cili ia shet vetëm pas një muaji, Alban Rushitit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne