Ndragheta pastron paratë në kullat e Tiranës

Paratë e klanit mafioz italian Ndragheta po investohen në sektorin e ndërtimit në Shqipëri me ndërmjetësimin e njerëzve të lidhur me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe kryeministrin Edi Rama.

Ky fakt është konfirmuar nga përgjimet në kuadër të operacionit të koduar “Basso profilo” që u finalizua tri ditë më parë në Itali, ku në pranga ranë 47 persona, mes të cilëve pjesëtarë të Ndraghetas, politikanë, zyrtare shtetërorë dhe biznesmenë.

Sipërmarrësit italianë nën hetim flasin për kontakte të afërta me kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj si dhe për faktin se paratë e tyre mund t’i investojnë në ndërtimin e kullave në Tiranë, që shiten deri në 3 mijë euro metri katror, dhe duhet të paguajnë ryshfet deri në 20 përqind të vlerës.

Në kuadër të këtij operacioni kanë rënë në pranga 7 shqiptarë, ndërkohë ka dalë në pah se një ish punonjës i Guardia Di Financias, Ercole D’Alesandro, merr përsipër të ndërhyjë për përfitimin e lejeve të ndërtimit dhe koncesioneve në Shqipëri përmes lidhjeve që thotë se ka në disa ministri dhe në administratën shtetërore në Tiranë.

Ai në përgjime shprehet se në Shqipëri mjafton të korruptosh një ministër dhe merr atë që kërkon.

Ish-nëntenenti i Guardia di Financa italiane që kishte lidhje në Shqipëri është arrestuar ndërsa janë nën hetim disa politikanë kalabrezë me interesa sipërmarrje në Shqipëri si Antonio Galllo, si dhe një europarlamentar.

Përgjimet kanë nxjerrë në dritë aferën e investimeve për ndërtimin e një kullë shumëkatëshe në kryeqytetin shqiptar me kushtin e vetëm pagesën e 20% të kuotës për të fituar lejen.

Mes bisedave të përgjuara janë ato ku sipërmarrësit Antonio Gallo dhe Antionio Speziali flasin me avokatin Claudio Larussa, përfaqësues i politikanëve Tomaso e Saverio Brutto, që në 2017 kanë kërkuar të investojnë në vendin tonë.

Bashkëbiseduesit aludojnë lidhjet më një person të afërt të kryebashkiakut Veliaj, ndërkohë që vetë Claudio Larusa pohon se e ka takuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, teksa thekson se  çmimet e shitjes për një metër katror shkojnë deri në 2-3 mijë euro në qendër të qytetit në zonën pranë pallatit të kulturës.

Për më tepër le të ndjekim një pjesë të bisedës mes biznesmenit Antonio Gallo dhe avokatit Spezaili:

Gallo: Ai është shqiptar, është president i këtij grupi atje në Shqipëri.

Speziali: Dhe në spitale mund të punohet…

Gallo: Nuk e di, por ai është president i Sol në Shqipëri, të gjithë spitalet, është pranë kryeministrit, pranë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është një njeri i rëndësishëm..

Speziali: Ka shkuar Claudio (Larussa) atje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Gallo: Po ka shkuar.

Brutto: Si një muaj… një muaj

Speziali: Më thuaj, në Shqipëri, unë vërtet i kam impiantet, por jam pak skeptik t’i çoj… nëse i marrim e t’i çoj është mirë për mua… por jo që të ma hedhin… duhet dërguar personi i duhur.

Në bisedë ata përmendin një shtetas shqiptar që quhet Nik, i cili ka marrë licenca për ndërtimin e kullave shumëkatëshe në kryeqytet.

Gallo: Atëherë kam folur me këtë mikun tim Nik, që më ka thënë se tipi që mori tri licenca për të ndërtuar në Tiranë… ka tri licenca në duar e për 180 milionë që duan, për të bërë ka 10 milionë.

Speziali: Realitet…

Gallo: Kërkojnë financierë më tha… gjejnë një sipërmarrës që është mirë e banka e financon…

Antonio Gallo që në Itali njihet me pseudonimin ‘Princi’ është një biznesmen që njihet për lidhjet e tij me Ndraghetan, pasi merr përsipër pastrimin e parave të tyre.

Ai në Shqipëri ka hapur kompaninë Gallo Albania së bashku me Henrik Bacin dhe Kledia Baçin.

Henrik Baçi në prill të vitit të kaluar bëri edhe një dhurim për spitalet shqiptare, ku dhuroi 3000 maska mbrojtëse dhe 50 veshje kirurgjikale.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne