NË 30 VJETORIN E MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE MAQEDONI-SHQIPËRI- DOLI NGA SHTYPI LIBRI I RRI I AUTORIT SALIM KADRI KERIMI

Para ca ditëve, në Shkup, doli nga shtypi libri i rri i autorit Salim Kadri Kerimi, me titull: “Aspekte të marëdhënieve dhe bashkëpunimit të Jugosllavisë dhe Maqedonisë me Shqipërinë (1945-1991-2000)”. Ky punim, mes tjerash, është libri i parë në gjuhën maqedonase në lidhje me çështjet në fjalë. Para se të kaloj në analizën e disa të dhënave më të rëndësishme të këti libri, më lejoni ti them disa fjalë për autorin e kësaj vepre.

Salim Kadri Kerimi, ka lindur në Prespë të Maqedonisë, më 21 Mars 1950. Me profesion është historijan, i cili më se 35 vjet ka qenë kuadër i shërbimit diplomatik të Republikës së Maqedonisë. Përveç gjuhës të tij amtare – turqishtes, ai është njohës i mirë i shqipes, maqedonishtes, serbishtes, i disa gjuhëve të tjera sllave, si dhe i anglishtes. Shërbimin e tij të parë diplomatik, mes viteve 1993 dhe 1997, e ka zhvilluarë si këshilltar në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Tiranë. Në periudhën mes viteve 1979 dhe 1998, Salim Kadri Kerimi nga afër i ka ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe për Shqipërinë, kurse duke filluarë nga viti 1991, në funksione të ndryshme, ka qenë pjesëmarës në shumë takime mes funksionarëve të lartë dhe më të lartë të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Zhvillimet në Shqipëri dhe për Shqiprinë S.K.Kerimi pa ndërprerje ka vazhduarë ti përcjellë edhe mbas përfundimit të angazhimit të tij me punë në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Tiranë. Përveç njohurive të tij të përfituara si rezultat i përvojës dhe angazhimeve të tij të sipërpërshkruara, në lidhje me çështjet në fjalë, S.K.Kerimi dhjetë vitet e fundit, në periudha të ndryshme, ka bërë studime dhe kërkime në disa arkiva në Shkup, Beograd dhe Tiranë. Ai është autor i disa librave dhe i një numri të madh të artikujve dhe intervistave, në gjuhë të ndryshme, të publikuara në revista, gazeta dhe disa portale të Maqedonisë, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Turqisë dhe Danimarkës. Pothuaj se të gjitha shkrimet e tij, kryesisht nga lëmi i historisë, diplomacisë dhe demografisë, mund të lexohen në blogun e tij (salimsblog.wordpress.com).

Përndryshe, libri i rri i autorit Salim Kadri Kerimi paraqet një rrëfim dokumentar dhe kujtimor i ngjarjeve më të rëndësishme në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e Jugosllavisë dhe Maqedonisë  me Shqipërinë, në periudhën nga 1945 dhe deri në vitin 2000, me theks të veçantë rreth disa aspekteve të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit maqedono – shqiptar. Në kët libër, po ashtu, janë të përshkruara edhe rrolet e disa  personaliteteve të Shqipërisë, si dhe ngjarjet më të rëndësishme në fillim dhe gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar. Ky punim në fakt është fryt i kujtimeve dhe shënimeve të autorit, si dhe i të dhënave të regjistruara në dokumente të ndryshme që ruahen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë, në Arkivin Diplomatik të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, të dhënat rreth çështjeve në fjalë që janë të regjistruara në literaturën relevante të autorëve vendas dhe të huaj, si dhe të dhënat përkatse nga shtypi maqedonas dhe atij shqiptar. Me fjalë të tjera, ky punim paraqet një përmbledhje e informacioneve, shënimeve dhe kujtimeve të veçanta për ngjarjet e ndodhura në Beograd, Shkup, Prishtinë dhe Tiranë, për disa prej të cilave, siç u tha më sipër, S.K.Kerimi ka qenë pjesëmrës dhe dëshmitar okular.

Libri, i cili përmban 572 faqe, është i ndarë në tetë kapituj të veçantë. Në kapitullin e parë, janë përshkruar aspekte të veçanta – më të rëndësishme të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit jugosllavo – shqiptar, kryesisht në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në shpërbërjen e RSF të Jugosllavisë. Fillimisht, në kët kapitull, për shkak të vazhdimsisë, në vija të shkurta, janë të trajtuara disa aspekte të marëdhënieve shqiptaro – jugosllave, edhe në periudhën mes dy luftave botërore.

Në kapitullin e dytë, janë të trajtuara aspekte të veçanta të pjesëmarrjes së RP/ RS të Maqedonisë në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin jugosllavo – shqiptar, në periudhën pas Luftës së Dytë botërore dhe deri në shpërbërjen e RSF të Jugosllavisë.

Në kapitullin e tretë, me titull: “Fundi i regjimit diktatorial në Shqipëri”, janë të prezantuara vlerësime të disa autorëve  shqiptar dhe të huaj për katër figurat më me ndikim të regjimit diktatorial në RP/RPS të Shqipërisë – Enver Hoxha, Nexhmie Hoxha, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia, si dhe për personalitetin e “demokratit” të parë shqiptar – Sali Berisha. Në këtë kapitull janë të përshkruara edhe aspektet më të rëndësishme të zhvillimeve në Shqipëri në fillim të viteve ’90 të shekullit të 20-të, me të cilat filloj përmbysja përfundimtare e regjimit diktatorial në Shqipëri dhe hapja e këtij vendi ndaj botës, përfshirë edhe ndaj Republikës së Maqedonisë.

Në kapitullin e katërt, janë  të publikuara disa të dhëna në të cilat bëhet fjalë për fillimin e një epoke të rre në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin maqedono – shqiptar. Në këtë kapitull, ndër të tjera, janë transmetuar: Vlerësimet e palës shqiptare në lidhje me marrëdhëniet dhe bashkëpunimin shqiptaro – maqedonas në vitet 1990/1991; Qëndrimi i zyrtarëve të lartë shqiptar, rreth hapjes të Përfaqësisë së Republikës së Maqedonisë në Tiranë; Vendimi i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për hapjen e përfaqsisë të saj diplomatike në Shkup; Deklaratat e zyrtarëve më të lartë të Republikës së Shqipërisë, lidhur me njohjen e Republikës së Maqedonisë; Pranimi e zavendës kryeministrit Beqir Zhuta nga presidenti Sali Berisha; Njohja e Republikës së Maqedonisë nga Republika e Shqipërisë dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve; si dhe të dhëna rreth dilemave të disa zyrtarëve të lartë shqiptar, në lidhje me (mos)përdorimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, gjatë njohjes dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Në kapitullin e pestë, janë të prezantuara informacione rreth kontakteve zyrtare ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë, në periudhën ndërmjet viteve 1991 – 2000.

Në kapitullin e gjashtë, bëhet fjalë rreth disa çështjeve që ishin aktuale në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, si dhe vlerësime për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin maqedono – shqiptar, në vitet e ’90 të shekullit të 20-të.

Në kapitullin e shtatë, përshkruhen disa aspekte të politikës së jashtme si dhe disa ngjarje të rëndësishme të ndodhura në Republikën e Shqipërisë, në periudhën nga viti 1992 deri në vitin 2000, përfshirë edhe ngjarjet/ zhvillimet tragjike në Shqipëri, në gjysmën e parë të vitit 1997. Një pjesë e çështjeve dhe ngjarjeve, për të cilat bëhet fjalë në këtë kapitull të librit, në njëfarë mënyre kishin ndikim përkatës edhe në zhvillimin e marëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Në kapitullin e tetë – të fundit, të këtij studimi janë të prezantuara vlerësimet dhe konkludimet e autorit për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin jugosllavo – shqiptar dhe maqedono – shqiptar, në periudhën nga viti 1945 deri në vitin 2000, dhe më pas. Në fund të këtij kapitulli janë të prezantuara edhe opinionet e S.K.Kerimit rreth “Bashkimit kombëtar  (shqiptar)”.

Duke u nisur, mes tjerash, edhe nga vlerësimi i presidentit të parë të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov se “…marrëdhëniet me Shqipërinë, marrëdhëniet tona me shqiptarët brenda vendit, si dhe pozita e maqedonasve në Shqipëri janë probleme të ndërlidhura me njëri-tjetrin” , autori i kësaj vepre e ka parë të arsyeshme dhe të dobishme që në fund të këtij punimi, në formën e dy shtojcave të veçanta, t’i trajtojë edhe disa aspekte më të rëndësishme rreth origjinëns, pozitës dhe statusit të shqiptarëve në Maqedoni, dhe i maqedonasve në Shqipëri, pa pretendime për një trajtim të plotë të çështjeve, problemeve dhe sfidave, që në të kaluarën dhe aktualisht përballeshin/ përballen/ balafaqohen pjesëtarët e këtyre dy bashkësive etnike.

Si analiza origjinale të S.K.Kerimit, që mes çështjeve të shumta janë të trajtuara në këtë vepër, unë me këtë rast posaçërisht dua ti veçoj, vlerësimet dhe opinionet e tij rreth këto tre çështje:

  1. a) Statusi i Kosovës në RPF-RSF të Jugosllavisë;
  2. b) Ngjarjet tragjike që ndodhën në Shqipri, në 1997, të cilat autori i ka përjetuarë nga afër, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Tiranë; dhe,
  3. c) Statusi – pozita dhe të drejtat e përfaqsuesve të pakicës etnike Maqedonase në Republikën e Shqipërisë.

Përmbajtja dhe ngjarjet e përshkruara në këtë libër janë të trajtuara në mënyrë tematike dhe kronologjike, ndërsa vlerësimet e parashtruara paraqesin opinione dhe konkludime të vet autorit, gjegjësisht ato nuk duhet të interpretohen, ose të kuptohen/ merren si qëndrime/ pikëpamje zyrtare të asnjë institucioni të Republikës së Maqedonisë, gjegjësidht të Republikës së Shqipërisë.

Përndryshe, siç është thënë në parathënjen e këtij libri, qëllimi kryesor i autorit S.K.Kerimi gjatë trajtimit të çështjeve në fjalë ka qenë:

  1. a) Për t’jua rikujtuarë lexuesve marëdhëniet “vëllazërore” midis popujve jugosllav, përfshirë edhe popullin maqedonas, me popullin shqiptar, të cilat filluan të zhvillohen veçanërisht midis pjesëtarëve të lëvizjeve partizane të të dy vendeve, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe që u përforcuan edhe më shumë vitet e para të pasluftës (nga 1945 deri në mesin e 1948), kur Jugosllavia Shqipërisë i dha mbështetje të sinqertë dhe ndihmë konkrete, në fusha të ndryshme, për konsolidimin dhe mëkëmbjen të pushtetit të sapokrijuar dhe të brishtë – komunist të shtetit shqiptar;
  2. b) Ti përshkruajë zhvillimet më të rëndësishme në marrëdhëniet mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, në periudhën nga mesi i vitit 1948 deri në fillim të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, kur në radhë të parë për shkak të “pozicionimit” të gabuar të Enver Hoxhës, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i Shqipërisë pothuajse me të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe me Jugosllavinë, u reduktuan në minimum, dhe dëmet mbi të gjitha për Shqipërinë, popullin shqiptar dhe të gjithë qytetarët e tjerë të saj, ishin katastrofale;
  3. c) Ta përshkruajë pjesëmarrjen dhe kontributin e RP/ RS të Maqedonisë në zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë, në periudhën deri në shpërbërjen e Jugosllavisë, gjegjësisht deri në përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës;
  4. d) Ti shënojë fillimet dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve maqedono – shqiptare, në fillim të viteve ‘90 të shekullit të 20-të;
  5. e) Ti rikujtojë disa hapa dhe politika të gabuara të të dyja palëve, për të nxjerrë mësim të duhur, për mospërsëritjen e tyre; dhe,
  6. g) Ta theksojë rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë si dhe ndërmjet popujve maqedonas dhe atij shqiptar, si elemente dhe shtylla shumë të rëndësishme të zhvillimit të gjithanshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet dy vendeve, si anëtarë të NATO-s, me gjasa të mëdha për anëtarësimin e tyre edhe në Bashkimin Europjan.

Trajtimin e aspekteve të veçanta të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit maqedono – shqiptar nëpërmjet transmetimit të pjesëve nga dokumente dhe materiale origjinale, të cilat ruahen në Arkivin Shtetëror dhe në Arkivin e MPJ të Republikës së Maqedonisë, si dhe në Arkivin Diplomatik – Historik të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, siç e ka theksuarë edhe vet autori, e ka bëra për këto dy arsye:

  1. a) Në mënyrë sa më autentike t’i përcjellë dhe paraqesë situatën dhe aktivitetet rreth bashkëpunimit dhe marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, në periudhën e lartpërmendur; dhe,
  2. b) Në një farë mënyrë, për ta çmitizuar veprimtarinë diplomatike të institucioneve dhe subjekteve përkatëse të dy vendeve – aktorë dhe pjesëmarrës në përgatitjen e materialeve dhe informacioneve të ndryshme, në të cilat janë bërë vlerësime të kushteve në bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë, në të ashtuquajturën “periudhë Jugosllave”, si dhe në periudhën pas shpalljes së Republikës së Maqedonisë si shtet i pavarur.

Ky punim/ studim përmban 703 fusnota (referenca), tregues të emrave, lista të burimeve dhe literaturës kryesore, të fotografive, tabelave dhe shkurtesave, si dhe të dhëna biografike dhe bibliografike për autorin e këti punimi. Sipas vlerësimeve të mia, këtë punim shum të rrëndësishëm Salim Kadri Kerimi e ka pregaditur dhe shkruarë avash, avash – me kujdes të madh, duke u përpjekur të jetë sa më objektiv dhe njëkohësisht kritik për gabimet dhe qëndrimet jot ë drejta të të dyja palëve, me qëllim të vetëm për mospërsëritjen e tyre.

Me publikimin e kësaj vepre autori Salim Kadri Kerimi e bëri hapin fillestar në lidhje me trajtimin e marëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në periudhën e theksuarë, hap të cilin, nëse nuk kaboj, gjer më tani nuk e kishte bërë asnjë diplomat i Maqedonisë, gjegjësisht i Shqipërisë, të cilët 30 vitet e fundit kanë shërbyerë në përfaqsitë të tyre diplomatiko-konsullore në Tiranë, gjegjësisht në Shkup. Uroj që ky libër, publikimi i të cilit përkoi/ u përputh me shënimin e 30-vjetorit të vendosjes të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, të zgjojë interes të duhur mes lexuesve dhe posaçërisht mes diplomatëve të Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe më gjerë, dhe të jetë inspirim dhe shtysë për studime të mëtutjeshme rreth çështjeve në fjalë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress