Në kulmin e një masakre në Gaza, Shqipëria zgjedh të forcojë lidhjet me Izraelin, firmos memorandum bashkëpunimi në shëndetësi

Ndërsa mijëra civilë në Gaza humbin jetën nën bombardime, dhe komuniteti ndërkombëtar ngre alarmin për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, qeveria shqiptare zgjedh të thellojë bashkëpunimin me Izraelin. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu, nënshkroi sot në Tiranë një memorandum mirëkuptimi me homologun izraelit, z. Uriel Buso. Marrëveshja synon të zgjerojë marrëdhëniet dypalëshe në sektorin e shëndetësisë.

Ky dokument do të shërbejë si bazë për bashkëpunim në fusha të tilla si mjekësia digjitale, menaxhimi i emergjencave, përdorimi i teknologjive të avancuara dhe pajisjeve mjekësore.

Në deklaratën e saj për mediat, ministrja Koçiu u shpreh:

“Ky memorandum vjen në vazhdën e partneritetit me qendrën spitalore SHEBA, një nga më të mirat në botë, për transformimin e Spitalit Onkologjik.”

“Ka nisur puna për modernizimin e protokolleve të trajtimit dhe rritjen e kapaciteteve të stafit mjekësor në Shqipëri.”

“Ky bashkëpunim ka një synim të qartë: standarde europiane dhe trajtim dinjitoz për qytetarët tanë.”

Vizita e ministrit izraelit Buso vjen pas një serie shkëmbimesh dypalëshe, përfshirë edhe vizitën e fundit të Kryeministrit Edi Rama në Izrael. Më herët, në mars 2024, ministrja Koçiu vizitoi kompleksin spitalor SHEBA, ndërsa në shtator të po atij viti Shqipëria priti edhe vizitën historike të Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne