Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, deklaroi të dielën se Rusia lëshoi më shumë se 200 dronë në një sulm gjatë natës, më i madhi i luftës, ndërsa dënoi “terrorin ajror” të Rusisë dhe bëri thirrje për unitet midis aleatëve të Ukrainës.
“Çdo ditë, njerëzit tanë qëndrojnë kundër terrorit ajror”, shkroi ai në X.
Në prag të përvjetorit të tretë të luftës në shkallë të gjerë, Rusia lëshoi 267 dronë sulmues kundër Ukrainës sulmi më i madh që kur dronët iranianë filluan të godasin qytetet dhe fshatrat e Ukrainës.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë në një deklaratë se 138 nga dronët u rrëzuan dhe 119 të tjerë u zhdukën nga radarët pasi u bllokuan nga lufta elektronike, duke shtuar se Rusia lëshoi gjithashtu tre raketa balistike. Dëme u raportuan në pesë rajone të Ukrainës.
Moska ka nisur sulme masive pothuajse çdo natë me dron në Ukrainë për muaj të tërë, duke kërkuar të shterojë mbrojtjen ajrore.
Presidenti ukrainas theksoi se në total, rreth 1,150 dronë sulmues, më shumë se 1,400 bomba ajrore të drejtuara dhe 35 raketa të llojeve të ndryshme, u lëshuan nga Rusia në Ukrainë gjatë javës së kaluar. Presidenti falënderoi ata që operojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe u bëri thirrje aleatëve të huaj të vendit të qëndrojnë të bashkuar për të siguruar një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.”Kjo është e arritshme përmes unitetit të të gjithë partnerëve, ne kemi nevojë për forcën e të gjithë Evropës, forcën e Amerikës, forcën e të gjithë atyre që kërkojnë paqe të qëndrueshme.” tha ai.