Rajoni

Në Prishtinë u hap tenda e iftarit

Për nder të ditës së parë të muajit Ramazan, Fondacioni “Ejup Sulltan” nga Republika e Turqisë organizoi hapjen e tendës për iftar në Pallatin e Sporteve dhe të Rinisë në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë ku do të jetë e hapur gjatë 29 ditëve të muajit të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Fondacioni “Ejup Sulltan” nga Turqia, edhe këtë vitë si në dhjetë vitet e fundit organizon tendën e iftarit për qytetarët e Prishtinës. Në këtë mbrëmje numri i qytetarëve të cilët bën iftarin e parë në këtë tendë arriti mbi një mijë persona.

Në këtë iftar të pranishëm ishin edhe Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç dhe stafi i ambasadës, koordinatori i Fondacionit “Ejup Sulltan”, Iskender Janova dhe drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë, Mehmet Ülker.

Iskender Janova, koordinatori i Fondacionit “Ejup Sulltan” duke i uruar muajin e bekuar të Ramazanit gjithë komunitetit të fesë Islame shprehu dëshirën që ky muaj të sjellë shëndet, bereqet dhe vëllazëri. Ai po ashtu bëri të ditur se përveç Prishtinës tenda të iftarit kanë hapur edhe në komunat e Mitrovicës dhe Skenderajit.

Ai theksoi se në Mitrovicë qytetarët bëjnë iftarë në tendë që 8 vite ndërsa ajo në Skenderaj është më e reja dhe organizohet që 5-6 vite gjatë muajit të Ramazanit.

“Kjo tendë këtu në Prishtinë pranon 2000 persona ndërsa ka kapacitetin e më shumë se 1500 ulëseve. Pos këtyre personave që bënë iftarin në këtë tendë ne dërguam gjellërat e iftarit edhe për afro 500 persona të cilët nuk kanë mundësi të vijnë këtu”, tha Janova.

Ambasadorja e Turisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç tha se muaji i Ramazanit është muaji i mirësisë, ndihmës dhe të gjitha vlerave të mira njerëzore. Ajo theksoi se gjatë këtij muaji duhet të mundohemi që të zgjerojmë mesazhin e paqes dhe mirësisë në tërë botën.

“Ne gjatë këtij muaji me iniciativa civile të tilla shfaqim edhe një shembull shumë të mirë për solidaritetin social dhe unitetin dhe ndihmën shoqërore. Edhe në Turqi organizohen iftare të tilla”, tha Kılıç.

Ndërsa, Ajetullah Mjekiqi qytetar i komunës së Obiliqit (komunë në rajonin e Prishtinës), ishte njëri nga ata që bëri iftarin e parë në këtë tendë. Ai tha se “është iniciativë shumë e mirë, i përgëzoj dhe falënderoj organizatorët. Unë që 5 vite rregullisht bëj iftar në këtë vend”.