Bota

Nëndetëset bërthamore ruse arritën në bregun amerikan pa u zbuluar

Një njësi e nëndetëseve bërthamore ruse ka kryer një stërvitje pranë bazave ushtarake amerikane përgjatë bregut të SHBA pa u zbuluar, deklaroi një komandant i Flotës ruse.

“Ky mision është kryer, nëndetëset u shfaqën në vendin e përcaktuar në oqean dhe u kthyen në bazë”, tha Sergei Starshinov, komandant i divizionit të nëndetëseve të klasit Akula dhe Shchuka-B, për televizionin Zvezda, kanali televiziv zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë. Data dhe vendi i misionit nuk u zbulua, por kanali tha se nëndetëset ruse “arritën në vijën bregdetare të SHBA”. I pyetur nëse nëndetëset mundën t’ju shmangen radarëve amerikanë, Starshinov tha: “Po. Ky është objektivi ynë – të shkojmë dhe të mos zbulohemi. ” Komandanti i Marinës ruse vuri në dukje se nëndetëset bërthamore u afruan shumë në bregun amerikan, por nuk shkelën kufijtë detarë të SHBA, duke mbetur në ujërat neutrale. Lajmi vjen pasi lidhjet mes Moskës dhe Uashingtonit kanë rënë në nivele që nuk janë parë që nga Lufta e Ftohtë për shkak të mosmarrëveshjeve të të dy vendeve për krizat në Ukrainë dhe Siri dhe pasi zyrtarët amerikanë akuzuan Rusinë për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

 

OPINIONE