Nënkryetari i MHP-së: “Turqia ka të drejtë të intervenojë nëse kërcënohet sovraniteti i Irakut”

Turqia ka të drejtë të ndërhyjë nëse cenohet integriteti territorial i Irakut, tha Mehmet Gunal, ligjvënës i opozitës së Turqisë.

Mehmet Gunal, nënkryetari i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), thotë se kjo do të ishte në përputhje me Traktatin e Ankarasë të vitit 1926.

Traktati u nënshkrua midis Turqisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Irakut për të përcaktuar zgjidhjen e kufirit midis Turqisë dhe Irakut. Turqia nënshkroi marrëveshjen me kushtin që integriteti territorial i Irakut të mbrohet.

Në një intervistë për AA, Gunal tha se referendumi i planifikuar mbi pavarësinë e rajonit kurd të Irakut verior është kundër të drejtës ndërkombëtare.

Ai tha se Turqia duhet të tregojë vendosmërinë e njëjtë në veri të Irakut, njëlloj siç bëri gjatë operacionit “Mburoja e Eufratit” në veri të Sirisë.

“Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë edhe për Mosulin dhe Kirkukun, për kampin në Bashika, gjithashtu edhe në Tal Afar”, tha ai.

Turqia ka marrë një rol aktiv në luftën globale kundër organizatës terroriste DEASH në Irak dhe Siri. Trupat turke gjithashtu ofrojnë trajnime për luftëtarët lokalë në qytezën e Bashikës, në verilindje të Mosulit.

Operacioni “Mburoja e Eufratit” filloi në gusht të vitit të kaluar dhe përfundoi në mars të këtij viti, sipas të cilit Turqia synonte të mbronte jetën dhe pronën e qytetarëve të saj. Veprimi synonte gjithashtu të përmirësonte sigurinë, të mbështeste forcat e koalicionit dhe të eliminonte kërcënimin terrorist përgjatë kufirit turk.

“Turqia, element i ekuilibrit”

Gunal tha se Turqia duhet gjithashtu të ofrojë siguri për turkmenët në rajon.

Më herët këtë vit, Front i Turkmenëve Irakianë, një lëvizje politike në Irakun e veriut, kundërshtoi fuqimisht vendimin e këshillit provincial të Kirkukut, që bëri thirrje për ngritjen e flamurit rajonal kurd pranë flamurit kombëtar të Irakut mbi institucionet shtetërore të qytetit të pasur me naftë.

Turkmenët gjithashtu kundërshtuan referendumin që do të mbahet më 25 shtator mbi atë nëse rajoni verior kurd duhet të shkëputet zyrtarisht nga Iraku.

Gunal tha se Turqia, “shtet i themeluar prej kohësh”, ishte “element i ekuilibrit” në rajon.

“Turqia është përgjegjëse për të parandaluar çështjet që dëmtojnë interesat e saj, që dëmtojnë pavarësinë e saj dhe nxisin ndarjen e vendit. Çdo operacion dhe luftë për këtë do të mbështetet pa kushte nga MHP, e cila gjithashtu pret që qeveria të jetë vendimtare lidhur me këto çështje”, shtoi ai.

Turkmenët përbëjnë grupin e tretë më të madh të Irakut pas arabëve dhe kurdëve, ku shumë komunitete turkmene janë të përqendruara në zona të kontestueshme midis Bagdadit dhe rajonit kurd të veriut të Irakut.

Edhe pse nuk ka shifra zyrtare lidhur me popullsinë turkmene të Irakut, zyrtarët turkmenë thonë se numri i tyre është rreth shtatë për qind e 33 milionë banorëve të Irakut./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne