Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së sot, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shfaqi dy harta, të cilat nuk e identifikonin Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, por e tregonin gjithë territorin si pjesë e Izraelit. Duke mbajtur hartat, Netanyahu tha se bota duhet të zgjedhë midis një “bekimi” dhe një “mallkimi”.
E para tregonte aleatët e mundshëm arabë të Izraelit në rajon, ndërsa e dyta Iranin dhe aleatët e tij. Të dyja hartat përjashtonin Gazën dhe Bregun Perëndimor. Netanyahu lëshoi paralajmërime të rrepta për Iranin, duke thënë: “Kam një mesazh për Teheranin, nëse na goditni, ne do t’ju godasim”.
“Nuk ka vend në Iran që krahu i gjatë i Izraelit nuk mund ta arrijë, dhe kjo është e vërtetë për gjithë Lindjen e Mesme”, shtoi ai. Ai ripohoi angazhimin e Izraelit për të vazhduar operacionet e tij ushtarake në Gaza, ku ka vrarë më shumë se 41.000 palestinezë që nga tetori i kaluar, duke kërkuar që Hamasi “të dorëzohet, të dorëzojë armët dhe të lirojë të gjithë pengjet”.
Netanyahu njoftoi gjithashtu vazhdimin e veprimeve ushtarake në Liban, ku forcat e tij kanë vrarë qindra në sulmet ajrore të gjera këtë javë, duke thënë: “Kam ardhur këtu sot për të thënë mjaft. Ne nuk do të pushojmë derisa qytetarët tanë të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre”. Ai përsëriti se “përderisa Hezbollahu zgjedh rrugën e luftës, Izraeli nuk ka zgjidhje, dhe Izraeli ka çdo të drejtë ta largojë këtë kërcënim dhe t’i kthejë qytetarët tanë në shtëpitë e tyre të sigurt”.
Në fjalimin e tij, Netanyahu kritikoi gjithashtu presidentin palestinez Mahmud Abbas, duke e akuzuar atë për “luftë diplomatike” kundër Izraelit. Ndërsa Netanyahu doli në skenë, një numër i madh delegacione, përfshirë atë të Türkiyes, u larguan nga salla./AA