Netanyahu shpërfill Trump, bën kërcënimin e parë pas armëpushimit për Hamasin: Do të shpërthejë ferri

“Hamasi duhet të heqë dorë nga armët dhe të çmilitarizohet, përndryshe do të shpërthejë ferri”,ishte ky kërcënimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në një intervistë me CBS News pas vizitës së Donald Trump në Tel Aviv për të festuar marrëveshjen mbi fazën e parë të planit të tij 20-pikësh për Gazën.

Netanyahu shprehu besim në një fazë tjetër paqësore në marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit dhe tani që pengjet e gjalla janë liruar, ai deklaroi se hapi tjetër duhet të jetë çmilitarizimi dhe çarmatimi.

“Së pari, Hamasi duhet të dorëzojë armët e tij. Së dyti, ne duhet të sigurohemi që nuk ka fabrika armësh brenda Gazës. Nuk duhet të ketë kontrabandë armësh në Gaza. Ky është çmilitarizim”, deklaroi Netanyahu.

Të martën, Trump paralajmëroi se nëse Hamasi nuk çarmatoset, “ne do ta çarmatosim atë”.

Kujtojmë se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se kjo është një ditë e madhe për Izraelin. Ai shtoi se do të mblidhte qeverinë për të miratuar marrëveshjen.

“Një ditë e madhe për Izraelin. Sot do të mbledh qeverinë për të miratuar marrëveshjen dhe për të sjellë të gjithë pengjet tona të dashura në atdheun e tyre”, tha Netanyahu.

Nga ana tjetër ishte Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të paqes në Gaza.

Presidenti Donald Trump tha se sipas marrëveshjes së arritur, të gjithë pengjet do të lirohen së shpejti, ndërsa Izraeli do të tërheqë trupat e tij deri në një vijë të rënë dakord mes palëve.

“Kjo do të thotë që TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të dakordësuar si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme”, shkroi trump në Truth Social.

Çfarë është rënë dakord në marrëveshjen e fazës së parë?

Siç është raportuar më herët, detajet e plota të marrëveshjes së armëpushimit në fazën e parë nuk janë bërë ende publike zyrtarisht. Megjithatë, këto janë të dhënat që dihen deri më tani:

Një burim palestinez i tha BBC-së se marrëveshja parashikon lirimin e 250 të burgosurve palestinezë dhe 1,700 banorëve të Gazës të ndaluar nga forcat izraelite që nga fillimi i luftës.

Sipas këtij burimi, Hamasi ende nuk ka marrë një listë të të burgosurve palestinezë që Izraeli planifikon të lirojë, por kjo çështje pritet të zgjidhet brenda disa orësh.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë palestinez deklaroi për BBC-në se marrëveshja përfshin gjithashtu lejimin nga ana e Izraelit të 400 kamionëve me ndihma humanitare që do të hyjnë në Gaza çdo ditë. Ky numër pritet të rritet në fazat e mëvonshme të zbatimit.

Nga ana tjetër, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se Hamasi do të lirojë 20 pengje të gjalla gjatë fazës së parë të marrëveshjes.

Megjithëse ky zhvillim përbën një përparim të rëndësishëm, marrëveshja e fazës së parë është vetëm një hap fillestar, jo përfundimtar. Bëhet fjalë për një armëpushim, jo për një marrëveshje të plotë paqeje, thekson korrespondentja kryesore ndërkombëtare e BBC-së, Lyse Doucet./pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne