Nga Balluku, te Berisha, Beqaj dhe Tik-Toku, muaj i ngjeshur për Kushtetuesen; kalon për shqyrtim edhe Diella

Kushtetuesja shqyrton gjatë dhjetorit shumë çështje të rëndësishme…

Muaji dhjetor duket se do të jetë një muaj shumë i ngjeshur për Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë ka pasur këtë vit mjaft çështje sensitive, por vëmendja kohët e fundit u rikthye për dy raste me interes: “Veliaj” dhe “Balluku”.

Veliaj doli fitimtar duke anuluar shkrimin, ndërkohë sot u mbajt një seancë lidhur me ankimin e qeverisë lidhur me masën e GJKKO ndaj zv/kryeministres Balluku. Rasti u shty për në 2 dhjetor, ku do të merret vendimi nëse do të kalojë apo jo për shqyrtim në seancë plenare ky rast.

Por kjo nuk është çështja e vetme, pasi janë dhe një sërë rastesh të tjera që përbëjnë interes publik. Në datën 16 dhjetor, Gjykata Kushtetuese do të vendosë mbi ndalimin e TikTok. Bëhet fjalë për një padi të bërë nga “Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë” dhe qendra “Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative”, me objekt: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, vendimit nr. 151, datë 06.03.2025, të Këshillit të Ministrave ‘Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line TikTok’”.

Një ditë më pas, Kushtetuesja do të vendosë mbi fatin e Sali Berishës. Ky i fundit ka ankimuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe gjykata do të vendosë nëse do të ketë ndryshim në këtë aspekt.

Në datën 23, Kushtetuesja mblidhet për ish-ministrin Ilir Beqaj, i cili gjithashtu kërkon lirinë dhe rrëzimin e vendimeve të tre shkallëve të tjera të gjyqësorit. Ndërkohë, seanca e planifikuar lidhur me një kërkesë të Unionit të Gjyqtarëve për pagat e magjistratëve është shtyrë për në janar.

Tjetër zhvillim interesant është se sot Kushtetueses i është drejtuar edhe kryebashkiaku Veliaj, i cili kërkon lirimin nga burgu. Por ende nuk ka datë se kur do të shqyrtohet rasti.

Po sot, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja e dekretimit të ministres “Diella” nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj, të shqyrtohet në seancë plenare.

Partia Demokratike kërkoi shfuqizimin e nenit 2 të Dekretit “Për emërimin e Kryeministrit”, nr. 331, datë 12.09.2025, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, PD kërkoi shfuqizimin e nenit 1, pika 1, fjalia e dytë, të Dekretit “Për emërimin e Këshillit të Ministrave”, nr. 333, datë 15.09.2025, gjithashtu si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare bazuar mbi dokumentet e dorëzuara. Pra, duket se jo vetëm dhjetori, por edhe fillimi i vitit 2026 do të jetë i ngjeshur për gjykatën. /Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne