Teksa SPAK ka kërkuar arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se mazhoranca nuk ka ndërmend të shqyrtojë kërkesën, duke e ngadalësuar procesin.
Në podcastin e tij “Flasim”, Rama u shfaq i habitur nga ajo që e cilësoi si “nxitim” të prokurorëve dhe vuri në dyshim kohën dhe mënyrën e veprimit të SPAK-ut, duke pretenduar se kërkesa për arrestim është “ekstreme” dhe e parakohshme.
Raporti i KE, i lexuar selektivisht
Për të mbështetur qëndrimin e tij dhe për të delegjitimuar veprimet e SPAK-ut, Rama lexoi pjesë nga një raport i Komisioni Europian mbi ushtrimin e drejtësisë në Shqipëri, duke u ndalur vetëm te kritikat për përdorimin e lartë të paraburgimit, të cilin e cilësoi si “rekord negativ absolut” në rajon.

Por raporti i KE-së evidenton edhe një sërë problematikash të tjera serioze që kryeministri nuk i përmendi, përfshirë:
– zgjedhjet e 11 majit,
– emigrimin masiv,
– polarizimin politik,
– informalitetin në tregun e punës,
– dhe sfidat sociale të pazgjidhura,
të cilat, sipas Komisionit Europian, kërkojnë reforma të thella dhe gjithëpërfshirëse.
“Venecia” që nuk ekziston
Nuk është hera e parë që Rama përdor raporte dhe opinione ndërkombëtare për të mbrojtur Ballukun. Më herët, ai iu referua një qëndrimi të ashtuquajtur të Komisioni i Venecias, sipas të cilit gjykatat nuk duhet të pezullojnë anëtarë të qeverisë, pasi kjo cenon balancën e pushteteve.

Megjithatë, verifikimet e Boldnews.altreguan se nuk ekziston asnjë opinion zyrtar i Komisionit të Venecias me përmbajtjen e cituar nga kryeministri. Sipas këtij verifikimi, qëndrimi i përdorur nga Rama rezulton të jetë një sintezë e gjeneruar nga aplikacioni ChatGPT, dhe jo dokument zyrtar i Venecias.
Vetë ChatGPT, në përmbledhjen e tij, thekson se nuk ka një opinion publik dhe zyrtar të Komisionit të Venecias që të lejojë apo justifikojë pezullimin e ministrave nga drejtësia.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe rikthimi i Ballukut në detyrë
E njëjta taktikë është përdorur nga Kryeministri edhe përpara se Gjykata Kushtetuese të mblidhej për të shqyrtuar kërkesën e tij për shfuqizimin e vendimit të GJKKO, që kishte pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Pas një fushate të hapur presioni politik dhe publik nga Kryeministri Edi Rama, Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë efektet e vendimit të GJKKO, duke i hapur rrugë rikthimit në detyrë të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Vendimi u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër, pas shqyrtimit paraprak të kërkesës së paraqitur nga vetë Rama, i cili refuzoi ta shkarkojë Ballukun dhe e paraqiti përplasjen me drejtësinë si një konflikt kompetencash mes ekzekutivit dhe gjyqësorit. Kryeministri argumentoi se GJKKO nuk kishte të drejtë të pezullonte një ministre, duke pretenduar se ajo gëzon imunitetin e deputetit.

Belinda Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe manipulim të procedurave me vlerë mbi 210 milionë euro, ndërsa SPAK ka shtuar më pas edhe akuza të tjera që lidhen me tenderët e Unazës së Madhe të Tiranës.
Ajo është aktualisht zyrtarja më e lartë e qeverisë që përballet me akuza penale nga SPAK, në një seri hetimesh që kanë prekur edhe ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit, përfshirë Arben Ahmetajn, Erion Veliajn, Ilir Beqajn dhe më herët Saimir Tahirin./Boldnews.al


















