Dosjet e SPAK bllokohen në GJKKO, zvarritje me kalimin e çështjeve për gjykim
Reforma në drejtësi u bë me bujë të madhe në vitin 2016, por përqendrimi i fokusit vetëm te arrestimet ka sjellë probleme te hallka më e rëndësishme: gjykimi.
SPAK ka bërë shumë goditje të bujshme në vitet e fundit, ku arriti të arrestojë ish-presidentin Ilir Meta, vendosi nën arrest Sali Berishën, u arrestuan po ashtu kryebashkiaku Veliaj, ish-ministri Beqaj, ish-ministri Lefter Koka, etj.
Por teksa SPAK krenohet me arritjet, po vihet re një fenomen mjaft shqetësues, pasi dosjet kanë ngecur në gjykata. Për të qenë më të saktë, GJKKO po merr shumë kohë për kalimin e dosjeve për gjykim.
Në shtator të vitit 2024, SPAK mbylli dosjen “Partizani” dhe dërgoi për gjykim Sali Berishën, dhëndrin e tij dhe emrat e tjerë të akuzuar. Por dosja u zvarrit në dyert e gjykatës për plot 8 muaj, pasi vetëm në maj të vitit 2025 GJKKO vendosi ta kalojë për gjykim. Por teksa procesi nisi, ka gati një vit që seancat po zvarriten dhe nuk ka asnjë zhvillim në proces.
Te kjo pjesë, rasti më skandaloz është ai i Fatmir Mediut. Në shkurt të vitit 2023, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim Fatmir Mediun për “Gërdecin”. Kanë kaluar 3 vite dhe procesi ndaj tij akoma vijon, teksa nuk dihet se kur do të përfundojë.
Në fund të gushtit, SPAK mbylli dosjen për Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe emrat e tjerë, por kanë kaluar 5 muaj dhe akoma nuk ka një vendim nëse dosja do të kalojë për gjykim.
Për Ilir Beqajn u mbyllën hetimet për dosjen “Sterilizimi” në mars të vitit 2024 dhe vetëm në shkurt të vitit 2025 dosja kaloi për gjykim. Ndërsa për fondet e BE ka 1 vit që dosja ka shkuar në GJKKO dhe nuk ka nisur gjykimi. Për kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi, hetimet u mbyllën që në dhjetor të vitit 2024 dhe vetëm pak ditë më parë dosja kaloi për gjykim. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me zyrtarë të tjerë.
Pra, duket se është një skemë masive, ku një pjesë e të akuzuarve e përdorin për të shfrytëzuar paraburgimin, i cili njihet si një ditë e gjysmë dhe dalin më shpejt nga qelia pas dënimit. Mirëpo nuk kuptohet neglizhenca e GJKKO-së, e cila pranon çdo lloj teke dhe zvarrit pa fund seancat. /Pamfleti

















