Nga Oltion Bistri i Policisë së Shtetit, Prokurori Lita tek lidhjet me Vis Martinajn! Kush janë personazhet që goditi SPAK

Operacioni i djeshëm çoi në pranga emra të njohur të Policisë së Shtetit, Prokurorisë, botës së biznesit dhe të botës së krimit. Të gjithë bashkë i lidh Shkodra.

Duke iu referuar të dhënave të dala përgjatë ditës së djeshme, ish-kryepolicin dhe prokurorin i lidh pikërisht drejtimi i këtyre strukturave në qytetin që jo rrallë kthehet në një sheshbetejë vrasjesh e masakrash, ndërkohë që prej vitesh aty nuk janë zbardhur ngjarje, qoftë ato edhe vrasje të kryera në mënyrë demonstrative.

Mirëpo, fakti që dy institucionet që kanë organizuar operacionin dhe kanë ekzekutuar urdhër arrestet nuk kanë reaguar zyrtarisht për arrestimet, të dhënat mbeten në kuadër të informacioneve jo zyrtare.

Po kush janë personat e përfshirë?

Ndonëse i shumëkërkuar, shumakuzuar, i konsideruar si njeriu më i fuqishëm i lojërave të fatit, i zhdukur pa gjurmë dhe i hamendësuar si i vrarë, i “ringjallur” në një atentat të frikshëm në Don Bosko dhe tashmë i ridalë sërish në skenë në operacionin e SPAK. Bëhet fjalë për Ervis Martinajn, ku gjurmët e tij dyshohet që kanë dalë tek një vrasje e harruar, ndodhur në Vaun e Dejës.

Në fakt, Policia e Shtetit ende nuk është e qartë, por orëve të para të së djeshmes u bë me dije që u krye një kontroll banese në Fushë-Kuqe. Burime konfidenciale bëjnë me dije se në fakt operacioni është kryer për të verifikuar nëse aty strehohej ndonjë nga personat që priteshin të arrestoheshin, por ende nuk është e qartë se përse policia e shtetit në të zbardhur ka kryer kontroll në këtë banesë.

Eljon Hato

Eljon Hato sipas policisë është mik i Ervis Martinajt, i mbetur po ashtu i plagosur në të ashtuquajturën “masakra” e ish-Bllokut më 4 tetor 2018. Në atë ngjarje të rëndë u plagos Ervis Martinaj, ndërsa mbeti i vrarë 28-vjeçari Fabiol Gaxha, mik i Martinajt.

Eljon Hato rezulton person me precedentë të theksuar kriminal pasi sipas policisë më 12 maj 2014, nën efektin e alkoolit, vrau një moshatarin e tij pas një sherri banal. Në fshatin Zus në Shkodër,

Eljon Hato, asokohe 24 vjeç, dyshohet se vrau Indrit Yllin edhe plagosi Jetmir Mollën.

Emri i Hatos lidhet edhe me një tentativë vrasjeje po në Shkodër, ndërkohë që ka dalë i përfshirë edhe në një sërë ngjarjesh që SPAK dhe policia pritet të zbardhin pas operacionit të mëngjesit të djeshëm.

Behar Bajri

Konsiderohet ndër emrat më të rëndësishëm të botës së krimit në Shkodër.

Po ashtu, konsiderohej edhe me mbështetje të forta jo vetëm politike e për pasojë pas çdo ngjarjeje që ndodhte në Shkodër e jo vetëm që ndodhnin te rivalët e tij, përflitej emri i tij. Megjithatë, ai mundi të fitonte lirinë me kusht duke shkuar në shtëpi në fillimin e muajit prill të këtij viti.

Oltion Bistri

Një ndër emrat me katapultimin më të shpejtë në vitet e fundit në Policinë e Shtetit është ai i Oltian Bistrit. Karriera e 41-vjeçarit mund të konsiderohet “si e ëndrrave” deri pasditen e 21 korrikut 2023 kur nga drejtimi i Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u emërua vetëm specialist në një drejtori të re të krijuar së fundmi te blutë, ajo e Krimeve në Volum.

Me sa duket, kryepolici Rrumbullaku ishte i informuar për arrestimin e tij të mundshëm nga SPAK-u dhe bëri lëvizjet e tij në moment të fundit, të paktën me këtë ndryshim do të arrestohej “ish-drejtuesi” i Operacionales.

Oltian Bistri rezulton të ketë mbajtur detyrën e shefit të Komisariatit nr. 2 në Tiranë, ndërsa në korrik 2021 u emërua drejtori i Policisë së Durrësit, detyrë që e mbajti për disa muaj.

Pas ardhjes në krye të bluve të Gledis Nanos, Bistri u transferua drejtues në Lezhë, për të qëndruar vetëm pak muaj dhe sërish me vendim të Gledis Nanos mori emërimin në krye të Forcës së Posaçme Operacionale.

Xhevahir Lita

Është Prokuror i qarkut Kukës, detyrë e mban që prej vitit 2021. Më herët ai mbante detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Tiranës, para se të emërohej në qarkun verilindor. Por, para se Lita të niste punën si prokuror në kryeqytet ka qenë në të njëjtën detyrë në Prokurorinë e Shkodrës.

Lita, në këtë të fundit, përpara se të transferohej në Tiranë ka hetuar një dosje shumë të rëndësishme, vrasjen e Bardhok Pllanajt, ngjarje kjo e regjistruar më 4 prill 2021. Transferimi i tij në Tiranë në atë kohë u bë diçka më shumë se një muaj nga ngjarja e rëndë. Bardhok Pllanaj u eliminua nga breshëri kallashnikovi prej rreth 80 plumbash teksa po kthehej nga Spitali i Shkodrës në shtëpinë e tij në Dobraç të Ri të Shkodrës.

Asmer Bilali

Një pjesë e mirë e shqiptarëve e njohin si boksier të Vllaznisë Asmer Bilalin, por kjo nuk e pengoi të riun të bëhej pjesë e njërës prej bandave më famëkeqe të Shkodrës, atë të Bajrave.

Fillimisht emri i tij u bë mediatik kur mbeti i vrarë shoku i tij Arjan Ferracaku, më 1 shtator 2018, teksa kalëronte në resortin e Asmer Bilalit në zonën e Livadheve në Shkodër. Atë ditë Bilali u plagos nga plumbat e agresorëve, të cilët dyshohet se e patën shenjëstër, por gabuan.

Asmer Bilali u arrestua në operacionin “OAZ” në shtator 2018 bashkë me 10 anëtarë të fisit Bajri për prodhim dhe armëmbajtje pa leje, organizimi i lotarive të palejuara, pastrim parash, gjobëvënie, prodhim dhe shitje narkotikësh. Në prill 2019 Asmer Bilalit i vranë babanë dhe xhaxhain, Astrit dhe Brahim Bilalin.

Ardit Hasanbegaj

Sipas të dhënave bëhet me dije se rezulton i përjashtuar nga Policia e Shtetit në vitin 2022. Ai së fundmi ka mbajtur detyrën e shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat.

Ai u shkarkua nga policia në nëntor të vitit të shkuar pas shkarkimit të zinxhirit komandues të policisë së Beratit, pas zbulimit të serave me kanabis në këtë qark, në fshatin Rërëz. Hasanbengaj rezulton të ketë qenë më herët punonjës policie edhe në Shkodër.

Mes tyre i arrestuar është edhe Edmond Preka, shoqëruesi i Pëllumb Gjokës./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne