Nga vrasja e Aleksandër Sadikajt dhe Edmond Papës, tek dy tentativat për t’i eliminuar të vëllanë, policia: Atentati ndaj Zamir Kalemit lidhet me ngjarjet kriminale në Shqipëri e Greqi

Policia e Tiranës ka raportuar se atentati ndaj 41-vjeçarit, Zamir Kalemi lidhet me ngjarjet kriminale të ndodhur në Shqipëri e Greqi përgjatë vitit 2022 dhe 2023.

“Nga analiza e rrethanave të ngjarjes ka informacione se kjo ngjarje ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi”, raportuan uniformat blu. Bëhet fjalë për sagën e hakmarrjeve që nisi pas atentatit mafioz ndaj kushëririt të Zamir Kalemit, 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj nga Memaliaj, i cili humbi jetën pas një shpërthimi me tritol në automjetin ku udhëtonte në afërsi të rreth rrotullimit të TEG-ut më 11 qershor 2022. Disa muaj më vonë, në 16 dhjetor 2022 në Tiranë u ekzekutua biznesmeni nga Fieri me banim në Sarandë, Edmond Papa.

Vrasja e tij raportohet se u krye si hakmarrje për ekzekutimin e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj. Në krim dyshohet se është përfshirë vëllai i Zamir Kalemit, Andrea Kalemi (kushërinj të 27-vjeçarit), kunati i viktimës, Albano Velo, 30 vjeç ndërsa në kërkim u shpall shoku i tyre, Andrew Bode, 44 vjeç, i cili është edhe personi që ekzekutoi biznesmenin.

Ndërkohë Andrea Kalemi u bë shënjestër e një sulmi edhe më 9 gusht të vitit 2023, në ishullin Paxos të Greqisë, teksa pushonte me familjen. Autori, ende i paidentifikuar, i cili dyshohet se mbërriti në ishull me jet-ski, hapi zjarr ndaj Andrea Kalemit duke e lënë të plagosur rëndë.

Ai u transportua me skaf në limanin Arila në Perdika dhe më pas me autoambulancë drejt Janinës ku mori ndihmën e parë. Policia greke e arrestoi Kalemin pasi zbuloi se ai kërkohej nga policia për një çështje të vjetër dhe e transferoi atë në burgun e Koridhalos pas kaloi rrezikun për jetën dhe u rehabilitua plotësisht.

Andrea Kalemi, arriti t’i shpëtojë një tjetër sulmi në dhjetor 2023 në burgun e sigurisë së lartë “Koridhalos” në Athinë, ndërsa një i burgosur egjiptian e ka goditur me thikë.

51 vjeçari, i cili njihet edhe si Adriatik Kalemi, u plagos rreth datave 14 ose 15 dhjetor, ndërsa dyshimet janë hedhur mbi pistën e një tentative për vrasje me pagesë.

Kalemi mori marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë.

Atentati ndaj Zamir Kalemit

41-vjeçari po udhëtonte me një automjet tip Smart, kur autorët që po lëviznin me një makinë tip Nissan i kanë dalë paralel tek vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës” dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku drejt tij rreth orës 22:55 të mbrëmjes së të premtes (12 Janar).

Mësohet se Zamir Kalemi ka devijuar mjetin duke u përplasur me bordurën anësore, ndërsa atentatorët janë larguar në drejtim të Bërzhitës, ku edhe i kanë vendosur flakën Nissan-it, duke shkatërruar çdo provë në automjet.

Blutë e Tiranës raportojnë se Zamir Kalemi, i cili është kushëriri i Aleksandër Sadikajt dhe vëllai i Andrea Kalemi i cili akuzohet se është përfshirë në vrasjen e Edmond Papës, ka marrë disa plagë me armë zjarri dhe ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor mësohet se ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni disa shtetas, ka sekuestruar dhe po vazhdon këqyrjen e pamjeve filmike në afërsi të vendit të ngjarjes, ndërkohë po punohet për gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të rëndësishme që mund të çojnë në zbardhjen e atentatit ndaj 41-vjeçarit.

Policia informon se automjeti i përdorur nga autorët, tip Nissan rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13 shkurt 2023, ndërsa targat e makinës janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, më datë 12.01.2024, ju informojmë se:

Më datë 12.01.2024, rreth orës 22:55, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Zamir Kalemi, i vitlindjes 1983, si pasojë ky shtetas ka marrë disa plagë me armë zjarri, dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer veprimet e nevojshme procedurale, ka këqyrur vendin e ngjarjes, ka këqyrur vendin e djegies së automjetit të përdorur nga autorët, ka sekuestruar provat materiale, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa shtetas, ka sekuestruar dhe po vazhdon këqyrjen e pamjeve filmike në afërsi të vendit të ngjarjes.

Aktualisht grupi hetimor vazhdon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të rëndësishme për hetimin.

Nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY6650, i cili rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13.02.2023.

Nga analiza e rrethanave të ngjarjes ka informacione se kjo ngjarje ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 euro, dhe informacioni mund të jepet në numrin  +355694111546, duke garantuar anonimatin e çdo telefonuesi.

Informacione më të detajuara do të japim për mediat dhe për publikun, në vazhdim të hetimeve./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne