Nigeria, vendi më i populluar i Afrikës, planifikon të bëhet anëtare e BRICS dhe t’i bashkohet G20 në dy vitet e ardhshme.
Ministri i Jashtëm nigerian, Yusuf Tuggar, në një intervistë për televizionin “Bloomberg”, tha se Nigeria do t’i bashkohet çdo grupi të hapur për sa kohë që qëllimet janë të mira dhe të përcaktuara qartë.
Ai theksoi se Nigeria është në një nivel për të vendosur se ku do të pozicionohet dhe cilët do të jenë partnerët e saj. Sipas tij, vendi planifikon të bëhet anëtar i BRICS-it dhe të marrë pjesë në G20 në dy vitet e ardhshme.
“Ne duhet të përfshihemi në BRICS, G20 dhe të gjitha grupet e tjera. Për shembull, nëse vendet me popullsi të madhe dhe ekonomi të mëdha duhet të përfshihen, atëherë pse Nigeria nuk është pjesë e saj?”, tha Tuggar.
Nigeria po zbaton një lëvizje të re të politikës së jashtme për të marrë pjesë në organizatat ndërkombëtare në fushën politike dhe ekonomike.
Presidenti nigerian, Bola Ahmed Tinubu në Samitin e G20 të mbajtur në shtator në Indi, deklaroi se ata duan të marrin pjesë si anëtar të përhershëm./AA