Një anije mallrash në pronësi të SHBA-së shënjestrohet me raketa balistike në brigjet e Jemenit

Një anije mallrash në pronësi të SHBA-së është shënjestruar nga një raketë balistike në brigjet e Jemenit, mes tensioneve të shtuara në Detin e Kuq për mbështetjen e pandërprerë të Uashingtonit për luftën gjenocidale izraelite kundër palestinezëve në Rripin e Gazës. Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) tha në një deklaratë të hënën se anija në pronësi dhe operim të SHBA-së Gibraltar Eagle ishte goditur me një raketë balistike.

Operatori i anijes me bazë në SHBA Eagle Bulk Shipping tha se ajo u godit nga një “raketë e paidentifikuar” ndërsa lundronte 100 milje larg Gjirit të Adenit dhe pësoi dëme të kufizuara në ngarkesën e saj, por asnjë marinar nuk u lëndua. “Si rezultat i goditjes, anija pësoi dëmtime të kufizuara në ngarkesë, por është e qëndrueshme dhe po largohet nga zona,” tha Eagle Bulk, duke shtuar se po transportonte një ngarkesë me produkte çeliku.

Ndërkohë, Forcat e Armatosura të Jemenit në një deklaratë konfirmuan sulmin ndaj anijes amerikane. “Marina e Forcave të Armatosura të Jemenit, me ndihmën e Allahut të Plotfuqishëm, kreu një operacion ushtarak duke sulmuar një anije amerikane në Gjirin e Adenit, duke përdorur një numër raketash të përshtatshme detare, duke arritur një goditje të saktë dhe të drejtpërdrejtë”, thuhet në një pjesë të deklaratës.

Deklarata shtoi se sulmi ishte “në mbështetje të popullit të shtypur palestinez në Rripin e Gazës, i cili ende i nënshtrohet llojeve më të rënda të masakrave nga entiteti sionist, dhe në përgjigje të agresionit amerikano-britanik ndaj Jemenit”. Më herët gjatë ditës, një agjenci britanike e sigurisë detare, raportoi në faqen e saj të internetit se një anije në pronësi të SHBA ishte “godituar nga lart nga një raketë”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Anija thuhet se ishte rrugës për në territoret e pushtuara nga Izraeli, me agjencinë britanike që e lidh sulmin me sulmet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Jemen javën e kaluar./parstoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne