Një pyetje për Gazën i kushton vendin e punës – Gazetari italian zbulon për Al Jazeera detajet e një “raste të rrezikshme”

Gazetari italian Gabriele Nunziati ka rrëfyer për Al Jazeera Mubasher hollësitë e pushimit të tij nga puna, vetëm disa ditë pasi kishte drejtuar një pyetje që lidhej me Rripin e Gazës gjatë një konference për shtyp të Komisionit Evropian në Bruksel.

Nunziati, që punonte si korrespondent për agjencinë italiane “Nova”, konfirmoi se arsyeja e drejtpërdrejtë e ndërprerjes së kontratës ishte pyetja e tij për Izraelin dhe koston e rindërtimit të Gazës – një pyetje që, sipas tij, ishte “plotësisht profesionale dhe legjitime”.

Pyetja që shkaktoi gjithçka

Gazetari shpjegoi se ngjarja ndodhi më 13 tetor të këtij viti, gjatë konferencës ditore për shtyp të Komisionit Evropian, ku ai ngriti pyetjen:

“Nëse Bashkimi Evropian kërkon që Rusia të paguajë për rindërtimin e Ukrainës, a mendoni se edhe Izraeli duhet të mbulojë koston e rindërtimit të Gazës, e cila është shkatërruar pothuajse tërësisht?”

Pas dy javësh, më 27 tetor, Nunziati mori një njoftim zyrtar nga agjencia “Nova” për përfundimin e menjëhershëm të bashkëpunimit.

Ai tha për Al Jazeera Mubasher:

“Nuk ka vend për dyshime – e humba punën për shkak të kësaj pyetjeje. Vetë agjencia e pranoi këtë qartë.”

Një precedent i rrezikshëm për lirinë e shtypit

Nunziati e përshkroi ngjarjen si “një precedent tepër të rrezikshëm”, duke theksuar:

“Edhe sikur pyetja të ishte konsideruar e papërshtatshme nga këndvështrimi i tyre, është e papranueshme që një gazetar të humbasë punën për një pyetje të vetme. Kjo është një goditje e rëndë për lirinë e shtypit.”

Agjencia “Nova”, në anën tjetër, e justifikoi vendimin e saj duke thënë se pyetja ishte “teknikisht e pasaktë” dhe “tregonte mungesë të kuptimit për dallimin midis situatës së Rusisë dhe Izraelit”.
Sipas saj, shpërndarja e regjistrimit të pyetjes në rrjetet sociale “i shkaktoi agjencisë siklet dhe cënoi besueshmërinë profesionale”.

Por gazetari hedh poshtë këtë arsyetim, duke e quajtur “një mbulesë për një qëndrim politik të qartë”.

“Mora telefonata ku shprehej pakënaqësi për pyetjen time, por nuk e prisja që çështja të përfundonte me pushim nga puna. Kjo tregon se sa presion i madh ushtrohet mbi gazetarët që raportojnë për atë që po ndodh në Gaza.”

Reagimi i Shoqatës së Gazetarëve

Sindikatat e gazetarëve italianë i kanë bërë thirrje agjencisë “Nova” ta rikthejë Nunziatin në detyrë, duke e cilësuar largimin e tij si një “rast precedent shumë të rrezikshëm që prek pavarësinë e shtypit” në Itali.

Sipas Nunziatit, kjo ngjarje hedh dritë mbi standardet e dyfishta që shpesh shfaqen në mbulimin mediatik të luftërave, veçanërisht në raportimin e mediave evropiane për agresionin izraelit ndaj Gazës.

“Ka heshtje, ka frikë, ka një kujdes të tepruar – dhe ai që guxon të bëjë pyetje që disa nuk duan t’i dëgjojnë, paguan çmimin,” – përfundoi ai.

Burimi: Al Jazeera Mubasher/kohaislame

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne